8 Nëntor 1960 – John F. Kennedy zgjidhet president i SHBA-së
John F. Kennedy, ishte politikani më i ri deri në atë kohë që do të zgjidhej si president i Shteteve të Bashkuara, duke mposhtur ngushtësisht zv.presidentin republikan Richard Nixon. Ai ishte gjithashtu katoliku i parë që hynte në Shtëpinë e Bardhë. Fushata qe e ashpër. Për herë të parë, kandidatët presidencialë u përballën në debate televizive. Shumë analistë besonin se performanca e mirë e Kennedy gjatë 4 debateve, bëri diferencën ditën e votimit.
Nixon u përpoq ta zhvlerësonte rivalin e tij si një të ri të papërvojë, për të trajtuar përgjegjësitë e jashtëzakonshme të diplomacisë së SHBA-së në kulmin e Luftës së Ftohtë. Ai i mbrojti 8 vitet e fundit të qeverisjes republikane, duke argumentuar se fuqia sovjetike ishte frenuar dhe ajo e Amerikës ishte rritur. Ndërkohë Kennedy akuzoi republikanët për humbjen e Kubës, dhe për lejimin e një “hendeku” të rrezikshëm, lidhur me numrin e raketave bërthamore që zotëronte SHBA, në raport me Bashkimin Sovjetik.
Megjithatë gjatë muajve të parë të presidencës Kennedy, kritikat e Nixonit duket se patën njëfare vlere. Kennedy u shfaq i zhgënjyes, së pari nga dështimi katastrofik i pushtimit të Gjirit të Derrave në Kubë, pastaj nga Nikita Kruschev gjatë një takimi të nivelit të lartë në Evropë, dhe në fund me ndërtimin e Murit të Berlinit. Ndërkohë fundi i presidencës me vrasjen e tij tragjike, përkoi me intensifikimin e Luftës së Vietnamit, një nga dështimet më të mëdha ndërkombëtare të SHBA-së gjatë Luftës së Ftohtë.
8 Nëntor 1923 – Nis Puçi i Birrarisë së Mynihut
Adolf Hitler, kryetari i Partisë Naziste, nis Puçin e Birrarisë së Mynihut, përpjekja e tij të parë për të marrë pushtetin në Gjermani. Pas Luftës së Parë Botërore, aleatët fitimtarë kërkuan miliarda dollarë dëmshpërblime lufte nga Gjermania. Kjo shkaktoi një katastrofë ekonomike tek kjo e fundit, çka shtoi rradhët e partive ekstremiste të majta dhe te djathta.
Në fillim të nëntorit 1923, qeveria rifilloi pagesat për dëmshpërblimin e luftës, dhe nazistët vendosën të hidheshën në greva. Hitleri planifikoi një grusht shteti kundër qeverisë së landit bavarez, të cilën ai shpresonte se do të përhapej edhe në rradhët e ushtrisë së pakënaqur gjermane, e cila nga ana tjetër do të lëvizte për rrëzar qeverinë qendrore në Berlin.
Mbrëmjen e 8 nëntorit, forcat naziste nën drejtimin e Hermann Goering rrethuan një sallë birrarie në Mynih, ku zyrtarët e qeverisë bavareze po takoheshin me drejtuesit e bizneseve lokale. Pak çaste më vonë, në sallë hyn Hitleri me një grup ushtarësh nazistë, duke qëlluar më pistoletën e tij në ajër, dhe deklaruar se “ka nisur revolucioni kombëtar”. Nën kërcënimin e armëve, udhëheqësit bavarezë ranë dakord të mbështesin regjimin e ri të Hitlerit. Megjithatë, orët e para të mëngjesit të 9 nëntorit, udhëheqësit bavarezë ndryshuan qëndrim, dhe urdhëruan një shtypje të shpejtë të rebelimit nazist.
Në agim, trupat qeveritare rrethuan forcat kryesore naziste që kishin pushtuar godinën e Ministrisë së Luftës. Një Hitler i dëshpëruar u kundërpërgjigj, duke udhëhequr një marshim drejt qendrës së Mynihut, në një përpjekje të fundit për të marrë mbështetjen e njerëzve. Pranë godinës së së Ministrisë së Luftës, 3.000 nazistë u përballën me 100 policë të armatosur. Nga shkëmbimi i zjarrit u vranë 16 nazistë dhe 3 policë. Hermann Goering u qëllua në ije, ndërsa Hitleri u lëndua në njërin krah, por arriti të shpëtojë.
Tre ditë më vonë ai arrestohet, dhe dënohet për tradhëti me 5 vjet burg. Burgoset në Kështjellën Landsberg, dhe e kalon kohën duke shkruar autobiografinë e tij, “Mein Kampf”, si dhe ushtruar aftësitë e tij oratorike. Presioni politik nga nazistët, e detyroi qeverinë bavareze të ndryshonte dënimin e Hitlerit, dhe ai u lirua pas vetëm 9 muajsh. Në fund të viteve 1920, Hitleri e riorganizoi Partia naziste si një lëvizje fanatike masive, që ishte në gjendje të fitonte shumicën në Rajhshtag në vitin 1932. Më 1934, Hitleri ishte udhëheqësi i plotfuqishëm i një kombi, që kishte synim luftën dhe gjenocidin.
8 Nëntor 1895 – Shkencëtari gjerman Wilhelm Conrad Rontgen zbulon rrezet X
Zbulimi i Rontgen, ndodhi aksidentalisht në laboratorin e tij në Wurzburg të Gjermanisë. Teksa po testonte nëse rrezet katodike mund të kalonin përmes një xhami, ai vuri re një shkëlqim që vinte nga një ekran aty pranë. Ai i quajti ato rreze X, për shkak të natyrës së tyre të panjohur. Rrezet X janë valë energjitike elektromagnetike që veprojnë në mënyrë të ngjashme me rrezet e dritës, por në një gjatësi vale rreth 1.000 herë më të vogël se ato të dritës.
Rontgen kreu një seri eksperimentesh për të kuptuar më mirë zbulimin e tij. Ai mësoi se rrezet X depërtojnë në mishin e njeriut por jo në substanca me densitet më të lartë, të tilla si kocka apo plumbi dhe se ato mund të fotografohen. Zbulimi i Rontgen, u shndërrua në një mjet të rëndësishëm diagnostikues në mjekësi, duke i lejuar për herë të pare mjekët të shihnin brenda trupit të njeriut, pa patur nevojën e kirurgjisë.
8 Nëntor 1576 – Paqja e Gent, qytet-shtetet e Holandës bashkohen për t’iu kundërvënë pushtimit spanjoll.
8 Nëntor 1901 – Në Athinë, shpërthejnë përplasje të përgjakshme pas një përkthimi të diskutueshëm të Ungjijve.
8 Nëntor 1933 – Në Kulmin e Depresionit të Madh, “Neë Deal” i presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt, konkretizohet me krijimin e Administratës së Punëve Civile, një organizatë e krijuar për të krijuar vende pune për më shumë se 4 milionë njerëz.
8 Nëntor 1936 – Trupat frankiste dështojnë në përpjekjet e tyre për të pushtuar Madridin, por më pas nisin një rrethim 3-vjeçar të kryeqytetit.
8 Nëntor 1939 – Në Mynih, Adolf Hitleri i shpëton për pak një atentati nga Georg Elser, gjatë festimit të 16 vjetorit të Puçit të Birrarisë së Mynihut.
8 Nëntor 1940 – Pushtimi italian i Greqisë, dështon pasi njësitë ushtarake greke zprapsin italianët në betejën e Elaia-Kalamas.
8 Nëntor 1965 – Britania e Madhe zytarizon heqjen e dënimit me vdekje.
8 Nëntor 1968 –Nënshkruhet Konventa e Vjenës për trafikun rrugor. Ajo synonte të lehtësonte trafikun rrugor ndërkombëtar dhe të rriste sigurinë rrugore, duke standardizuar rregullat uniforme të trafikut midis vendeve nënshkruese.
8 Nëntor 1977 – Arkeologu grek Manolis Andronikos, profesor në Universitetin Aristotel të Selanikut, zbulon në Vergina varrin e Filipit II të Maqedonisë, babait të Aleksandrit të Madh.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce