26 të akuzuarit e grupit Kumanova u dënuan të enjten nga Gjykata e Shkupit, nën akuzat për terrorizëm.
Ndërkohë, lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar që të nisë një hetim ndërkombëtar.
“Kemi përcjellë me kujdes dhe vëmendje të shtuar procesin pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, në maj të vitit 2015 dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Shkup. Drejtësia duhet të vihet në vend, duke nisur që nga zbardhja e plotë e ngjarjes me të gjitha dimensionet e saj. Një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës, për të cilën mundohemi të gjithë”, thuhet në reagimin e Haradinajt.
Pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe analisti Faton Mehmeti, i cili ka thënë se Haradinaj është i vonuar lidhur me këtë çështje dhe se Kosova nuk i ka dalë në mbrojtje të akuzuarve në rastin e Lagjes së Trimave.
“Kosova nuk ka bërë asgjë që t’iu dalë në ndihmë të fajësuarve nga Kosova në rastin “Kumanova”. Kjo tregon më së miri mungesën e kujdesit të një shteti të brishtë, i kapur nga krimi dhe bandat. Reagimi i kryeministrit Haradinaj është i vonuar dhe sa për “të larë gojën”.
Kosova duhej të ishte interesuar për qytetarët e saj, trajtimin që iu është bërë atyre si dhe rishikimin e akuzave. Çdo shtet në botë kujdeset për qytetarët e vet brenda dhe jashtë shtetit, Kosova asnjërën. Prandaj kemi rënë në këtë gjendje të mjeruar. Ramushi doli qesharak sot për rastin “Kumanova” pasi është kryer ai proces”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.