Sulmet ndaj shqiptarëve dhe shkatërrimi i pronave të tyre që kanë ndodhur kohën e fundit, kanë shqetësuar përfaqësuesit e organizatës “Këshilli i Veriut”, lidhur me gjendjen e sigurisë në këtë pjesë të vendit.
Kjo orgaizatë nga Veriu i Mitrovicës, përveç çështjes së sigurisë ka përmendur edhe probleme tjera me të cilat po ballafaqohen, siç janë rindërtimi i shtëpive në veri, kthimi i shqiptarëve në banesat e tyre të uzurpuara, kompensimi për 18 vite për ‘refugjatët’ nga veriu të cilët paguajnë qira në jug, si dhe kthimin e pakusht të punëtorëve shqiptarë në institucionet publike.
Nazmi Ismajli, kryetar i organizatës “Këshillit të Veriut”, akuzoi kryetarin në ikje, Agim Bahtiri, për deklaratat e pavërteta të tij rreth situatës së përgjithshme në veri dhe gjendjes së banorëve shqiptarë në atë pjesë.
“Nga viti 2008 deri më 2013 janë ndërtuar rreth 240 shtëpi, janë renovuar disa banesa, janë ndërtuar shumë rrugë, kanalizime, ndriçime publike, ujësjellës, si dhe janë përkrahur banorët me qira, bursa, udhëtime pa pagesë. Kurse me ardhjen e Agim Bahtirit në pushtet, banorët shqiptarë të veriut kanë mbetur në terr…Këshilli i Veriut është i gatshëm të dal në debat publik me Agim Bahtirin kurdo dhe kudo që ai dëshiron. Agim, merri lexoj raportet e policisë se sa shqiptarë janë rrahur kohën e fundit dhe sa prona të tyre janë dëmtuar, ndërsa ti del publikisht dhe flet për siguri të plotë në veri. Agim të lutemi mos luaj me ndjenjat e qytetarëve të veriut të cilët po vuajnë tash e 18 vite”, ka thënë Ismajli në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën në Lagjen “Kroi i Vitakut”./Tesheshi/