Dëshmitari kryesor në gjykimin për përpjekjen për grusht shtet në Mal të Zi, Sasha Sindeliç, ka thënë se është paguar nga një zyrtar i inteligjencës ruse për të organizuar përmbysjen e qeverisë me qëllim të parandalimit të anëtarësimit të këtij shteti në NATO, njofton BIRN.
Në seancën e së enjtes, Sindeliç në mënyrë të drejtpërdrejtë ka akuzuar shtetin rus se qëndron prapa komplotit të vitit të kaluar për rrëzimin e qeverisë në Podgoricë.
Sipas prokurorisë, Sindeliç është i vetmi person që ka pasur lidhje të drejtpërdrejta me rusët Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, për të cilët besohet se janë zyrtarë të inteligjencës ushtarake ruse dhe që akuzohen si dy organizatorët kryesorë për rrëzimin e qeverisë malazeze më 16 tetor të vitit të kaluar.
Në dëgjimin e transmetuar drejtpërdrejtë nga televizione të ndryshme në Mal të Zi, Sindeliç i ka thënë gjykatës si është takuar me Shishmakovin dhe ka dhënë hollësira për takimet në Moskë dhe logjistikën e puçit.
Sindeliç, i cili e përshkruan vetën si nacionalist serb dhe pansllavist që kundërshton kufijtë mes serbëve, ka sqaruar se ai ka filluar të vizitojë Rusinë më shpesh në vitin 2015.
Ai ka përkujtuar se ka pranuar një mesazh të çuditshëm nga agjenti rus në mars të vitit të kaluar, disa muaj para zgjedhjeve.
“Është bërë mjaft. Nuk mund të tolerohet më tej. Në Mal të Zi, autoritetet duhet të rrëzohen (asokohe kryeministri Milo Gjukanoviç)”, ka përkujtuar Sindeliç mesazhin e Shishmakovit.
Ai ka shtuar se në disa raste ka marrë para nga rusët për të organizuar puçin.
“Katër herë kam marrë 25 mijë euro dhe dy herë 50 mijë”, ka thënë dëshmitari kryesor, duke sqaruar se paratë duhej të përdoreshin për të paguar njerëzit që do të vinin në Mal të Zi për të organizuar komplotin dhe për të blerë armët.
Në dëshminë e tij që zgjati pesë orë, Sindeliç ka akuzuar krerët e partisë proruse në Mal të Zi, Fronti Demokratik, se e kanë tradhëtuar atë dhe grupin e qytetarëve serbë.
Liderët e Frontit, Andrija Mandiç dhe Milian Knezeviç, që akuzohen për përfshirje në rastin e grusht shtetit, kanë përqershur dëshmitë e Sindeliqit, aq sa gjyqtarja Suzana Mugosha u detyrua t’i largonte nga salla, transmeton Konica.al.
Sindeliç është njëri nga 20 qytetarët e Serbisë, përfshirë edhe ish-gjeneralin e policisë serbe Bratisllav Dikiç, që akuzohen për lidhje me komplotin e 15 tetorit.
Qëllimi i tyre, sipas prokurorisë, ishte të vrisnin ish-kryeministrin Gjukanoviç dhe të sillnin në pushtet opozitën proruse.
Sipas prokurorëve malazezë, Sindeliç ka pranuar 200 mijë euro nga rusët dhe ua ka shpërndarë nga një pjesë anëtarëve të tjerë të grupit kriminal që po përgatisnin komplotin.