PODGORICË – Ish-komandanti suprem i NATO-s Wesley Clark thekson se Mali i Zi është shembulli më i qartë i stabilitetit, tejkalimit të konflikteve në Ballkan, përshtatja me qytetërimin perëndimor dhe përmirësimin e standardeve të jetesës sipas parimeve demokratike.
Në një intervistë me “Dnevne Novine”, Clark shpreson se Serbia do ta shohë Malin e Zi si model dhe të ndjekë shembullin e tij. Duke komentuar bashkimin e Malit të Zi me NATO-n, Clark tha se kjo ngjarje kontribuon në stabilitetin e Ballkanit.
“Është gjithmonë dikush që kërkon të prishë stabilitetin në rajon dhe zhvillimin ekonomik, por në themel qëndron paqja dhe besimi i njerëzve në një të ardhme më të mirë. Është e rëndësishme të dihet se zhvillimi ekonomik sjell punësimin dhe stabilitet dhe është faktori kryesor për sigurinë”, u shpreh Clark.
Sipas tij, fakti që Mali i Zi u bashkua me NATO-n përpara se të futej në BE tregon që vendi duhet të arrijë stabilitetin dhe sigurinë përpara se të synojë zhvillimin ekonomik. Duke komentuar mbi bombardimet e NATO-s në 1999, Clark tha se përdorimi i forcës ishte alternativa e fundit.
“Udhëtova 3 herë drejt Serbisë në vjeshtën e vitit 1999 për t’i kërkuar Sllobodan Millosheviçit të ndalonte dhe pas masakrës në Raçak, i thashë: Ju lutemi mos kryeni spastrime etnike të shqiptarëve të Kosovës,” tha Wesley Clark, duke shtuar se Milosheviçi e refuzoi.
“Në fund të verës, katër mijë shqiptarë lanë shtëpitë e tyre dhe shkuan të jetonin në malet e Shqipërisë. Shkova në Beograd tri herë, dhe pastaj zhvilluam bisedime në Rambuje. Nuk mund ta bindnim Millosheviçin të mos përdorte dhunë. Politika që ai themeloi me Shainoviçin dhe Ojdaniçin shkaktoi shumë rrëmujë në Kosovë, dhjetë mijë njerëz humbën jetën dhe 90% e tyre u vranë nga serbët. Millosheviçi me njerëzit e tij u përpoqën të fshehin vrasjet. Ju nuk do të gjeni dot një gjë të tillë sot në Evropë. Dhe në asnjë vend tjetër,” shpjegoi ai.
Përshtati për Tirana Today, Refxhei Tola