Lulzim Lelcaj, dikur pedagog i Saimir Tahirit ka një porosi për ish-studentin e tij.
Në një postim në Facebook, Lelcaj shkruan në vitet 2002-2003 e kishte ndihmuar Tahirin të hynte në një provim në Universitetin e Shkodrës, edhe pse nuk kishte frekuentuar asnjë orë në atë lëndë.
Madje, shkruan Lelcaj, Tahirit i duhej një notë e mirë për t’u transferuar në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë.
Pedagogu shkruan se pas disa kohësh, në vitin 2014, ish-ministri e kishte quajtur atë “Gate Mahmutaj”, duke mos vlerësuar ndihmën që kishte marrë dikur nga Lelcaj.
Gjithsesi, duket se pedagogu ka një këshillë për t’i dhënë ish-studentit të tij, teksa e porosit që flasë dhe të mos kursejë askënd, pasi sipas Lelcaj ky do ishte shërbimi më i madh që mund t’i bëjë vetes, familjes dhe vendit.
POSTIMI I LULZIM LELCAJT:
Sajmir Tahirin e njoh (dhe më njeh mirë) prej viteve 2002-2003 (mundet ndonjë vit më herët). Ai student (i ditës) e unë pedagog në Universitetin e Shkodrës.
Miq të tij (ishstudentë, gjykatës-magjistratë!!!!) më kërkuan ta ndihmoj që të hynte në një provim sepse nuk kishte frekuentuar asnjë orë në atë lëndë (edhe te tjerat!). Përveç kësaj duhej edhe një notë e mirë pasi do të transferohej tek Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Tiranës
Sigurisht, e ndihmova!
Vite më vonë kur punoja në Kuvendin e Shqiperise, “e njoha” edhe më shumë (në Tiranë dhe kur shkonim në Parlamentin Evropian në Bruksel).
Pavarsisht se më njihte shumë mirë, në vitin 2014 nuk hezitoi të më quante mua “Gate Mahmutaj”, edhe pse e dinte (ai dhe të gjithë të tjerët) se gjithë jetën dhe karrirën time unë isha një “tip” krejt tjetër nga “Gate Lazaratasi” si njeri e profesionist!
Herën e fundit e pashë Sajmirin tek po shëtiste të birin një pasdite vonë, një të diele janari 2015. Foli me mimikë! Më tha se: “e shikon se çfarë jemi në gjendje të të bëjmë!!!!” Kishin “mbaruar punë” me mua!
As atë natë e as sot nuk pata e nuk kam asnjë ndjesi për Sajmirin sepse mosmirënjohja e tij (dhe e shumë të tjerëve) është ligjësi!
Megjithatë në këto ditë, ku me zë dhe nën zë, ata që ka përballë dhe për krah e quajnë “Gate Mahmutaj” i vërtetë, Sajmirit do t’i jepja një këshillë.
FOL!
MOS KURSE ASKËND!
Ky është shërbimi më i madh që mund t’i bësh vetes, familjes dhe vendit tënd.
E vërteta të bën të lirë dhe të kthen dinjitetin!
Për të tjerat, “koha është ilaçi më i mirë!”