Ngjyra e kuqe e bën zemrën të rrahë më shpejt. Ju mund ta keni hasur shpesh këtë dhe pretendime të tjera, mbi efektin e ngjyrave të ndryshme në mendjen dhe trupin e njeriut.
Por a ka ndonjë dëshmi dhe të dhëna shkencore, që mbështesin pretendime të tilla?
Mekanizmat fiziologjikë, që mbështesin shikimin e ngjyrave nga ana e njeriut, janë kuptuar gjatë pjesës më të mirë të 100 viteve të fundit, por vetëm gjatë 2 dekadave të fundit kemi zbuluar dhe filluar të kuptojmë një shteg të veçantë për efektet jo vizuale të ngjyrës.
Ashtu si veshi, që gjithashtu na garanton ndjenjën e ekuilibrit, ne tashmë e dimë se si syri kryen dy funksione. Qelizat e ndjeshme ndaj dritës, të njohura si fotone në retinë, në pjesën e pasme të syrit, dërgojnë sinjale elektrokimike kryesisht në një zonë të trurit të njohur si korniza vizuale, ku formohen imazhet vizuale që ne shohim.
Gjithsesi, tanimë e dimë se disa qeliza të retinës i përgjigjen dritës, duke dërguar sinjale kryesisht në një rajon të trurit qendror të quajtur hipotalamus, i cili nuk luan asnjë rol në formimin e imazheve vizuale.
Dritë, por jo pamje
Hipotalamusi është një pjesë e rëndësishme e trurit, përgjegjës për sekretimin e një numri hormonesh që kontrollojnë shumë aspekte të vetë-rregullimit të trupit, duke përfshirë temperaturën, gjumin dhe urinë. Ekspozimi ndaj dritës në mëngjes dhe dritës blu/jeshile në veçanti, nxit çlirimin e hormonit të kortizolit që na stimulon dhe zgjon nga gjumi, si dhe pengon lirimin e melatoninës.
Në mbrëmje vonë, teksa sasia e dritës blu nga drita e diellit zvogëlohet, melatonina çlirohet në gjak dhe duke qarkulluar bashkë me të ne përgjumemi. Qelizat e retinës që formojnë shtegun pamor që krijon imazhin midis syrit dhe hipotalamusit, janë selektivisht të ndjeshme ndaj gjatësisë së valëve të shkurtra (blu dhe jeshile) të spektrit të dukshëm.
Kjo do të thotë se ekziston qartazi një mekanizëm i ndërtuar fiziologjik, nëpërmjet të cilit ngjyra dhe drita mund të ndikojnë në gjendjen tonë shpirtërore, ritmin e rrahjeve të zemrës, vigjilencën dhe impulsivitetin, vetëm për të përmendur disa.
Për shembull, ky shteg vizual që formon imazhin në hipotalamus, besohet të jetë i përfshirë tek çrregullimet emocionale sezonale, një çrregullim humoresh që prek disa njerëz gjatë muajve të dimrit të orëve të gjata në errësirë, të cilat mund të trajtohen me sukses nëpërmjet ekspozimit ndaj dritës në mëngjes.
Ngjashëm, ka të dhëna të publikuara që tregojnë se ekspozimi ndaj dritës së dritës me gjatësi të shkurtër vale disa orë para kohës normale të gjumit, mund të rrisë vigjilencën dhe më pas të ndikojë në cilësinë e gjumit. Gjumi i një cilësie të dobët, po bëhet gjithnjë e më i përhapur në shoqërinë moderne, dhe lidhet me rritjen e faktorët e rrezikut për obezitetin, diabetin dhe sëmundjet e zemrës.
Ekzistojnë disa shqetësime, se përdorimi i tepruar i smartfonëve dhe tabletave në orët e vona të mbrëmjes, mund të ndikojë në cilësinë e gjumit, pasi ato lëshojnë një sasi të konsiderueshme të dritës blu/jeshile në valë të gjata, që pengon çlirimin e melatoninës, dhe kështu na pengon të ndjehemi të përgjumur.
Përjetimi i ngjyrave
Studiues në Universitetin e Lidsit në Angli, kanë ndërtuar një laborator ndriçimi, të projektuar posaçërisht për të vlerësuar efektin e dritës mbi sjelljen dhe psikologjinë njerëzore. Sistemi i ndriçimit në Britaninë e Madhe është unik, në atë që mund të “përmbytë” një dhomë me dritën e çdo lloj ngjyre të çdo gjatësie vale specifike (ndriçimi tjetër me ngjyra, përdor zakonisht një përzierje të papërpunuar të dritës së kuqe, jeshile dhe blu).
Hulumtimet e fundit nga ky grup, kanë zbuluar një efekt të vogël të dritës me ngjyra në normën e rrahjeve të zemrës dhe presionin e gjakut: drita e kuqe duket se shton rrahjet, ndërsa ajo blu i ul ato. Efekti është i vogël, por ai është vërejtur edhe në një studim të publikuar në vitin 2015, nga një grup shkencëtarësh në Australi.
Në vitin 2009, dritat blu u instaluan në fund të platformave në linjën hekurudhore Yamanote në Tokios, për të zvogëluar numrin e vetëvrasjeve nëpërmjet vetëhedhjes në binarët e trenave. Si rezultat i këtij ndryshimi (vetëvrasjet ranë me 74 për qind në stacionet ku u instaluan dritat blu), ndriçimi i ngjashëm me ngjyra, është instaluar në platformat e trenit pranë Aeroportit Gatwick në Britani.
Këto masa janë ndërmarrë, bazuar në pretendimin se drita blu e lehtë, mund t’i bëjë njerëzit më pak impulsivë dhe më të qetë, por ekzistojnë ende pak dëshmi shkencore për t’i mbështetur këto pretendime: një studim 3 vjeçar nga Nicholas Ciçone, gjeti dëshmi kontradiktore mbi efektin e ndriçimit me ngjyra tek impulsiviteti i njerëzve.
Studime të ngjashme, janë duke u kryer në laboratorë të tjerë për të eksploruar efektin e ngjyrës mbi kreativitetin, mësimin e nxënësve në klasë dhe cilësinë e gjumit. Është e qartë se drita dhe në mënyrë specifike ngjyra, mund të na ndikojnë në mënyra që shkojnë shumë më larg vizionit të rregullt me ngjyra. Zbulimi i shtegut vizual që nuk formon imazhin, i ka dhënë një shtysë të re hulumtimit që shqyrton se si ne reagojmë, si fiziologjikisht ashtu edhe psikologjikisht, ndaj ngjyrave që na rrethojnë.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce