Një çorap e vetme, me shkëlqim, që i përkiste legjendës së pop-it Michael Jackson dhe që ai e kishte veshur gjatë një koncerti në Francë në vitin 1997, u shit në ankand për më shumë se 8,000 dollarë këtë të mërkurë, bëri të ditur një ankandist francez.
Çorapja e bardhë, e stilit sportiv dhe e zbukuruar me gurë të vegjël të ndritshëm (rhinestones), u vesh nga “Mbretit i Pop-it” gjatë turneut të tij botëror HIStory në qytetin jugor të Nimes, në korrik të vitit 1997.
Sipas organizatorëve të ankandit, ajo u cilësua si një “objekt kulti”, duke qenë pjesë e një koleksioni të objekteve të rralla nga historia e muzikës.
Aurore Illy, ankandistja që organizoi shitjen, tha për agjencinë AFP se çorapja ishte gjetur nga një teknik pranë dhomës së zhveshjes së Jackson-it, pas përfundimit të koncertit në Nice.
Sipas faqes së specializuar të ankandeve interencheres.com, Jackson është parë duke i veshur ato çorape në performancën e famshme të këngës “Billie Jean”, një nga kulmet e çdo koncerti të tij.
Megjithëse sot, dekada më pas, çorapja është e njollosur dhe gurët dekorativë kanë marrë ngjyrë të verdhë nga koha, ajo ruan vlerë të madhe simbolike për fansat e këngëtarit.
“Është një objekt vërtet i veçantë, madje kult për adhuruesit e Michael Jackson-it,” tha Illy.
E vlerësuar fillimisht mes 3,000 dhe 4,000 eurosh, çorapja arriti të shitet për 7,688 euro, në një ankand të mbajtur në Nimes.

Nuk është hera e parë që objekte personale të Jackson-it arrijnë çmime të larta. Në vitin 2009, një resort në Macau pagoi 350,000 dollarë për dorëzën me shkëlqim që Jackson kishte veshur gjatë vallëzimit të tij të parë “moonwalk” në vitin 1983.
Ndërkohë, një kapelë e veshur prej tij përpara asaj performance ikonike, u shit për më shumë se 80,000 dollarë në Paris, në vitin 2023.
Michael Jackson ndërroi jetë në vitin 2009 nga një mbidozë fatale në moshën 50-vjeçare. Pavarësisht akuzave për abuzim ndaj fëmijëve gjatë jetës dhe pas vdekjes së tij, të cilat ai dhe familja e tij i kanë mohuar gjithmonë, Jackson vazhdon të ketë një bazë të madhe adhuruesish në mbarë botën.















