Pas supersfidës Kukësi-Skënderbeu e fituar nga korçarët me rezultatin 1-2, kanë folur edhe drejtuesit e bankinave ku kanë dhënë mendimin për paraqitjen në fushë të ekipeve dhe rezultatin përfundimtarë. Skënderbeu me këtë fitore merr i vetëm kryesimin duke mposhtur një kundërshtarë direkt për titull.
Milinkoviç shprehet mjaft i zhgënjyer nga ekipi i tij për disfatën e pësuar sot në ‘Zeqir Ymeri’ përballë Skënderbeut. Ai theksoi se u kushtëzua nga forma jo e mirë e disa lojtarëve.
“Kur luan në një ndeshje të tillë duhet të jesh në gjendje të mirë dhe ne nuk ishim. Vetëm në disa momente ishim mirë, patëm probleme në mesfushë. Fatkeqësisht donin të fitonim, por nuk ia dolëm dot të merrnin as barazimin. Bëmë edhe disa gabime që na sollën humbjen. Në pjesën e parë u ndëshkuam nga një gabim në mbrojtje. Nuk jemi të kënaqur pasi nuk ishim agresiv, nuk dhamë më të mirën. Në derbi nuk ke shumë mundësi, një rast nëse të jepet duhet ta shënosh. E kam thëne edhe më parë që Skënderbeu ka shumë ndeshje, por edhe të ndihmojnë që lojtarët të lidhen me njëri-tjetrin. Nuk duam t’ia ulim vlerën fitores së Skëndërbeut, por sot ishim ne dobët. Nëse do të luanin siç ishim përgatitur gjatë gjithë javës rezultati do të ishte ndryshe.”
Ndërsa tekniku Ilir Daja është shprehur mjaft i kënaqur nga performanca e ekipit të tij, dhe i lumtur për tre pikët e vendin e parë. Fitoren ai ia dedikon të dëmtuarit Gavazaj.
“Unë do të thoja që merituam gjithçka sot. Dua të ndalem që ketë fitore ta dedikojmë Gavazaj. Djemtë e merituan fitoren. Rivaliteti në skuadër në shtyn përpara, sepse të gjithë luftojnë për fanellën e titullarit. Kemi startuar mire sepse kemi pasur ndeshje të forta me rivali si Kukësi, Partizani, Flamurtari. Vijmë me ngarkesë nga ndeshjet ne Europë, por prapë ia dolëm. Ekipi ka frymën e shpirtit të garës. Tek penalltia i thashë që nuk duhet të bien. Më pëlqeu performanca e Ditës dhe Takut, janë përshtatur mirë. Kam një grup futbollistësh që dinë të menaxhojnë çdo situatë.”
Sabien Lilaj një ndër lojtarët kryesorë të Skënderbeut është shprehur se pjesëmarrja në kupat ë europës e vecon Skënderbeun nga ekipet e tjera, duke e diferencuar me një hap para.
Lilaj: “Sot të gjithë lojtarët luajtën shumë mirë, pavarësisht lodhjes ia dolëm të luanim mirë. Kalimi në grupet e Europa League na ka dhënë një hap para kudnërshtarve. Kjo është ajo që na veçon nga kundërshtarët. Sa herë me jep mundësia për të shënuar e shfrytëzoj në maksimumin, kur shënoj jam i kënaqur.”