Blekendorf- Zemrat e anëtarëve të komisionit nuk u zbutën dot as nga 30 letrat, mes të tjerash, të fqinjëve, kryebashkiakut, punëdhënësit, shkollës dhe kopshtit lokal, me kërkesën për të mbajtur në fshat familjen e mirë-integruar nga Shqipëria. Ky institucion, kishte në dorë t’i jepte të drejtën e qëndrimit familjes Mino. Por kërkesa e refuzua, pasi nuk kishte 5 vjet qëndrimi në Gjermani.
Familja Mino erdhi në Gjermani në pranverën e vitit 2015, për shkak të kërcënimeve me vdekje që kishte marrë nga familja e gruas. Megjithatë, Elke Gergs, bashkëshortja e një refugjati, shpreson ende për një fund të mirë të historisë së miqve të saj. Ekziston mundësia që Minot, të mund të udhëtojnë brenda pak muajsh ligjërisht drejt Gjermanisë.
Punëdhënësi, i cili është shumë i kënaqur me Teki Minon, i ofron gjithashtu atij një vend trajnimi në bujqësi. Shqiptari ka punuar si ndihmës në fermë. Ndërsa bashkëshortja, Liza Mino, është në nivelin A2 të gjuhës gjermane, pak para momentit testimit. Ata duhet të jenë në gjendje të kenë mundësi të jetojnë si duhet pas kthimit të tyre në Shqipëri”- thotë Elke Gergs. “Është absurde që ata duhet të largoheshin!”.
Por, përpara se të jetë i mundur një rikthim në Gjermani, familja duhet të paraqesë një kërkesë për vizë në ambasadën gjermane në Tiranë. Se sa muaj do të duhet për të marrë një përgjigje konkrete, këtë nuk e di askush me saktësi. Autoritetet për të huajt në këtë qark, e ndihmuan familjen e Teki Minos me këshilla për të pasur sa më shpejt që të jetë e mundur një takim në ambasadën e Tiranës.
Ndërkohë, miqtë në Gjermani shpresojnë që familja të gjejë mbështetje në Shqipëri, derisa të mund të rikthehet në Blekendorf. Familjen e pret një varfëri e hidhur në Shqipëri. Minot ka të ngjarë të vendosen të banojnë tek motra e Liza Minos. Nëntë vetë në dy dhoma. Në dallim nga Blekendorfi dhe Gjermania, Teki Mino nuk ka në Shqipëri asnjë perspektivë për të pasur një punë.
Edhe vajza e 17 muajshe, Amelia, e cila ka probleme me funksionimin e veshkave, përbën një tjetër shqetësim të veçantë. Gergs dyshon nëse kujdesi i saj mjekësor në Shqipëri do të jetë i mjaftueshëm, sidomos në kushtet kur familja s’ka para për të blerë ilaçet që nevojiten.
Deportimi në Shqipëri qe veçanërisht e vështirë edhe për Klarisën 6-vjeçare, e cila sapo ishte trajnuar në Ostseeschule. Ajo frekuentoi kopshtin e fëmijëve 2 vitet e fundit, flet mirë gjermanisht dhe ka miqtë e saj këtu. Në Shqipëri, ajo s’do të jetë në gjendje të shkojë në shkollë. Se kur do të mund të ndodhë nisja për në Gjermani, kjo mbetet e paqartë. Gergs dëshiron që autoritetet përgjegjëse të shqyrtojnë dëshminë e Liza Minos, në Volkshochschule në muajin tetor.
Langenfeld, nëna me vajzën e mitur, përpiqet të rikthehet në Gjermani pas deportimit
Një grua ulet në shkallë dhe buzëqesh para aparatit fotografik. Brune, me flokët e gjatë, e veshur me bluzë, xhinse dhe sandale. Ajo i ka hedhur krahun vajzës së saj të vogël. Dora e vogël e vajzës së saj, mbështetet në këmbën e saj. Kjo foto e Meritës dhe Norias 5-vjeçe, merr dhjetëra herë ‘share’ në Facebook. Me një mesazh që ka tronditur shumëkënd.
Nëna dhe vajza e saj u dëbuan për në Shqipëri në mesin e shtatorit. Erin nga Langenfeld lufton tashmë për të lejuar rikthimin e tyre në Gjermani. “Miq të vërtetë e të rëndësishëm…ju lutem nënshkruani dhe ndajeni këtë peticion me të tjerët”- shkruan ajo në faqen e saj në Facebook. Bëhet fjalë për një mik të vogël të Julianit, djalit të saj. “Një çështje zemre”. Lidhje me një peticion online.
Më shumë se 500 përkrahës, kanë nënshkruar tashmë në favor të Meritës dhe Norias së vogël. Nëse mbërrihet numri 870, formohet një i ashtuquajturi kuorum. Më pas, ekipi i platformës online “openPetition”, i drejtohet autoriteteve përgjegjëse. Pastaj bën thirrje ndaj kreut të komunës së Langenfeld, Frank Schneide.
Megjithatë, ky i fundit thotë:”Kjo është përgjegjësi vetëm e distriktit Ausländeramt at Mettmann”. Nuk është e qartë nëse të dyja do të rikthehen në Gjermani. Por ka shpresë. Në verën e këtij viti, nxënësja 15-vjeçare Bivsi Rana dhe prindërit e saj, u dëbuan nga Duisburgu për në Nepal, vendin e tyre. Edhe rasti i saj u bë publik në “openPetition”.
Qyteti i Duisburgut, kryebashkiaku i tij dhe autoritetet e emigracionit, ishin jetikë në garantimin që Bivsi dhe prindërit e saj të lejoheshin të ktheheshin në Gjermani, duke pasur një certifikatë shkollore me të drejtën e adoleshentes për të vazhduar studimet në Gjermani. Mbështetësit e Meritës dhe Norias, shpresojnë gjithashtu për një rikthim të tillë.
Chantale Schumacher shkruan: “Merita ka ardhur në Gjermani me Norian, kur vogëlushja ishte 10- muajshe. Të dyja ishin integruar shumë mirë, flisnin në gjuhën gjermane, dhe nëna kishte filluar një punë në Kishën Katolike”. “Noria qe një vajzë engjëllore dhe shumë e qeshur, dhe gjithashtu shumë inteligjente”- shkruan më tej Schumacher “Miushja e vogël sapo kishte filluar arsimin parashkollor, ashtu si fëmijët tanë, dhe po përgatitej për vitin e ardhshëm shkollor së bashku me miqtë e saj të vegjël”.
Pra, befas… ato u larguan…dhe të gjithë fëmijët pyesin se pse Noria ka ikur…”- shkruan një nënë në Facebook. Chantale Schumacher, dhe mbështetësit e tjerë të Meritës, e dinë se Shqipëria zyrtarisht konsiderohet një vend i sigurt i origjinës. Në rastin e Meritës dhe Norias, kjo nuk ka të bëjë vetëm me rrethanat personale. Gratë në Shqipëri, përballen ende me një situatë shumë të vështirë. Po Noria? Tani gjendet në një vend të huaj. “Pa miqtë dhe njerëzit që i kanë mbushur zemrën!”.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce