Edhe në pjesën e “ngadaltë” të Europës jeta ndryshon me ritme shumë të shpejta. Shumë njerëz nuk e kapin dot ritmin, por ata nuk duhet t’u lihen në dorë populistëve, mendon Jagoda Marinic.
Unë e kalova këtë verë në Dalmaci. Atje si gjithmonë ende ndiqet stili i jetesës “pomalo”, ngadalë, pa rrëmbim, pa stres. “Pomalo” është një fjalë, që e bën të prekshëm stilin mesedhetar të jetesës- Këngëtari puerto-rikan Luis Fonis sivjet këtë stil e ka kthyer në një hit veror: “Despacito”. Kjo është “pomalo” spanjolle. Në Gjermani nuk ekziston fjalë si “pomalo”.
Kancelarja Merkel preferon të flasë për një Europë të dy shpejtësive. Por asaj i shpëton nga vëmendja, se sa shpejt, pavarësisht motos së jetës në rehati, këto rajone po ndryshojnë. Vetëm në njëzet vjet në Mesdhe ka ndryshuar kaq shumë. Si mundet që të flasësh nga Gjermania, ku prej dymbëdhjetë vjetësh mbizotëron stanjacioni, ku ende nuk është aplikuar interneti i shpejtë në mbarë hapësirën e vendit, ta quash rajonin, ku mund të përhapet pa aspak rezistencë kapitalizmi turbo, si një “Europë e ngadaltë”?
Melankoli e humbur
Eshtë e vërtetë, që europiano-veriorët me Mega-Yachtet e tyre mund t’i arrijnë më shpejt gjiret më të bukura dhe t’i blejnë më shpejt shtëpitë më të bukura për të kaluar fundjavat. Ta pranojmë edhe se, firmat gjermane dhe austriake kanë qenë më të shpejta me përhapjen e filialeve të rrjeteve të tyre: dm-Markt, Bipa, Kaufland, Lidl, Bauhaus… Të gjitha këto dyqane janë të përfaqësuara në këtë rajon. Por punonjësit e këtyre filialeve nuk janë gjithmonë kaq të shpejtë. A duhet ta arrijnë ato këtë shpejtësi me paga minimale prej rreth 3 Eurove dhe kundrejt çmimeve të mallrave si në Gjermani?
Në Split, një ndër qytetet më të bukra të Kroacisë, duhet t’i kërkosh me lupë vendasit gjatë muajit gusht. Statistikat flasin, se raporti është gjashtë turistë me një vendas. Qytetet e mermerta si Dubrovniku dhe Spliti janë kthyer ndërkohë në skena të filmave si Game of Thrones e së shpejti edhe për Mamma Mia II. Një vend i pushtuar prej ushtrisë shëtitëse të turistëve.
Me çfarë duhet të vazhdoj më tej me mbërritjen e jetës së shpejtë në gjoja pjesën më të ngadaltë të Europës? Ah po, marrëzia perëndimore e të qenit i/e bukur. Qoftë grua apo burrë – madje edhe gazetat më serioze – në verë kërkojnë trupin më të bukur të Adriatikut: kulti i fizikut me L-Carnitin dhe në shpejtësinë turbo. Nuk ka asnjë aktore që të mos shfaqet në instagram duke u thekur në diell dhe duke treguar vullnetin e vet të hekurt work-out.
Mesazhi perëndimor që qëndron pas kësaj është: melankolia sllave ka humbur. A nuk jemi ne të gjithë të bukur dhe të dashur, të lumtur dhe cool? Networku profesional dhe miqësor ka mbërritur edhe në Europën Juglindore. Të gjithë i postojnë hashtag-t e tyre në anglisht. Ne jemi pjesë e bashkësisë së vlerave botërore, heju! Kush është ai që do të mbetet pjesë e Europës së ngadaltë, nëse është e mundur duhet të shkojmë në panairin e modës në Dyseldorf, heju! Like!!
Ku kanë shkuar vendasit?
Një turist britanik ankohet në të kundërt në blogun e tij të udhëtimeve: “Ajo që më nervozon? Unë nuk mundem këtu të pi birrë vetëm me gjermanët, ku kanë shkuar vendasit?” Me gjasë ata mbi bazën e kontratave afatshkurtëra lajnë çarçafët e tij. Miqtë e mi atje poshtë punojnë gjatë gjithë gushtit në këtë bum të turizmit, ndërsa miqtë e mi këtej sipër vetëm për shtatë netë hotel paguajnë të gjithë rrogën e muajit. Ndoshta Merkel ka pasur pikërisht këtë parasysh me Europën e dy shpejtësive: njerëzit veriorë i shpenzojnë më shpejt paratë e tyre nga sa mund t’i fitojnë njerëzit jugorë.
Para vitesh u përhap në media një shprehje famëkeqe e një politikani kroat: “Mos i lini më fëmijët të studiojnë, ata do të lajnë çarçafët e europiano-veriorëve.” Kjo nuk ishte satirë, por ai e kishte seriozisht. Njerëzit vazhdojnë të jenë krenarë. Ata duan më shumë. Por oferta është e rrallë dhe rruga për mirëqenie me ndershmëri për qytetarët normalë është e thepisur. Sa herë që të aplikohet një ligj i ashpër, si „fiskalizimi”, p.sh., qeveria pretendon, se ky është standard europian. Kur kam blerë akullore në Gjermani rrallëherë kam marrë në dorë faturë nga shitësja e akulloreve. Ndoshta sepse niveli i mesëm i ekonomisë në Gjermani është më i shpejtë, pasi shteti u le ndonjë hapësirë aty këtu ndërmarrjeve të vogla. S’mund ta themi kështu, e megjithatë ndodh.
Europa – një Kontinent
Në pjesën hitorike të Splitit aty këtu ka ndonjë pjatë elegante me pasta për tridhjetë Euro. E në të njëjtën kohë lexon, që në këtë vapë përvëluese të shekullit në klinikën më të madhe të Splitit, në pavionin e pneumologjisë, p.sh. mungojnë impjantet e klimatizimit. Mua më dalin para syve të sëmurët nga mushkëritë, se si përpëliten në këtë ajër mbytës prej vapës nën çarçafët e tyre të bardhë, për të cilët nuk e di se kush i lan dhe për sa para.
Një mbrëmje, direkt pas lagjes së banimit të miqve të mi, digjen pemë në një shpejtësi, që zjarrëfikësit nuk e arrijnë dot ta përballojnë. Turistët pozojnë selfiet e tyre me diellin në përvëlues në perëndim, ndërsa vendasit me zjarrëfikësat me mungesa në pajisje, që duhet të peshojnë, se cilin zjarr të shuajnë më parë, luftojnë kundër zjarreve.
Unë nuk e di, nëse Merkel me këtë ka parasysh Europën me dy shpejtësi. Unë di vetëm, se në këtë Europë duhet t’i jepet prioritet të qenit bashkë, gjendjes së jetesës dhe jo udhëtimeve të qytetarëve të këtij kontinenti. Në rast të kundërt kjo Europë nuk duhet të na habisë, kur nacionalistët ta shfrytëzojnë këtë ndjesi të qytetarëve të lënë pasdore, se ata mund t’i zgjidhin më mirë problemet. Edhe në këtë drejtim ne nuk jemi Europa e dy shpejtësive, por një kontinent.
* Jagoda Marinic ёshtё shkrimtare dhe gazetare gjermano-kroate.