Sektori i turizmit ende i pamaturuar shihet si një burim potencial për rritjen ekonomike në të ardhmen, por modeli në të cilin po zhvillohet nuk po i jep vlerën e shtuar që i takon sektorit. Vërshimi i fshatrave turistike i destinuar për shitje, në vend të resorteve me kapacitete të mëdha akomodimi, nuk i jep sektorit vlerë të shtuar të lartë dhe nuk i nxit dukshëm industritë mbështetëse. Teksa, kompania Balfin Group është në përfundim të punimeve te fshatit turistik “Green Coast, kompania e ndërtimit Edilal, ka njoftuar projektet për ndërtimin e tre fshatrave të ri një turistik në jug të vendit.
Kompania Edilal ka publikuar në web faqen zyrtare se ka në plan të nisë vitin që vjen punimet për ndërtimin e një fshati turistik në zonën ndërmjet Palasës dhe Dhërmit të quajtur “Palasa Bay Resort”.
Projekti do të shtrihet në rreth 14 hektarë tokë dhe sipërfaqja e ndërtimit do të jetë në 44.000 metër katror, ku në pjesën jugore të saj shtrihet deti. Janë projektuar 160 njësi vilash dhe një hotel. Edilal ka ne plan të përfundojë brenda 2019-es një kompleks rezidencial me vila në Gjirin e Jalës, 55 kilometra nga Vlora. Fshati i Jalës u dizajnua nga studio italiane OIKOS Progetti dhe parashikon ndërtimin në një sipërfaqe toke prej 45 mijë metrash katror, ku 4100 metër janë për vila dhe hotelin në 2200 metër katror.
Edilal gjithashtu ka njoftuar se do të zhvillojë një projekt të ngjashëm në Ksamil. Ky projekt do të dizajnohet në bashkëpunim me studion arkitektonike greke ORIO & Partners. Arameras BEACH resort parashikohet të vendoset në një sipërfaqe 29 hektarë ku sipërfaqja e ndërtimit është 112.940 metër katror.
Më herët këtë vit kompania Edil Al prezantoi projektin për ndërtimin e një fshati turistik të kombinuar me hotel dhe resort në Gjirin e Lalëzit, i pagëzuar me emrin “San Pietro Resort”, projekti synon që në gjithë sipërfaqen e truallit prej 350.000 m², do të jenë të ndërtuara 140.000 m² sipërfaqe, nga të cilat 98.600 metër katror do të jetë fshati turistik, një rezidencë e ndërthurur me vila dhe apartamente dhe 41.400 m² do të jetë hoteleri dhe resort me 5 yje.
Resorti është duke u zhvilluar në me partneritet me kompaninë spanjolle “Melia Group”, e njohur për menaxhimin e resorteve me shërbime luksi. investimi do të përfshijë 88 milionë euro, ndërsa pritet të jetë në operim brenda tre viteve bëjnë me dije burimet e kompanisë dhe do të ofrojë ofertat all inclusive.
Modeli i fshatrave
Bregu i Jugut te vendit po zhvillohet me modelin e Gjirit të Lalëzit. Në mes të një pylli të bukur, i pacenuar nga vala e ndërtimeve që zaptoi Durrësin fill pas viteve 1990, Gjiri i Lalëzit aktualisht është “zaptuar” nga fshatrat turistikë.
Banesat shfrytëzohen nga poseduesit maksimumi 10 ditë në vit, duke punësuar vetëm dy-tre punonjës sigurie për ruajtjen e tyre. Ndërtimet e fshatrave turistikë përgjatë gjithë bregut të Lalëzit, kanë dëmtuar kurorën e pishave të gjelbra.
Banorët e Ishmit nuk po shohin përfitime nga popullimi i bregut. Zona është kthyer hermetike me vila luksoze, të cilave nuk u afrohesh dot. Të rrethuara me gardh mbrojtës dhe me roje të armatosura, përveçse kanë shtuar kuriozitetin për jetën matanë, nuk kanë sjellë asnjë përfitim për zonat përqark.
Fshatrat turistikë të Lalëzit nuk i kanë rritur dukshëm kërkesën për prodhimet e tyre dhe as e ka nxitur bujqësinë në zonë. As kërkesë të dukshme për punësim nuk ka pasur. “Lura 1”, “Lura 2”, “Peshkatari”, Val Mare, Neë Born, Perla, janë vetëm disa nga fshatrat turistikë në Gjirin e Lalëzit, teksa ky model (më i rafinuar) po përhapet me shpejtësi në Jug.