Ka rreth 2 vjet që përgatitet për këtë koncert mbarëkombëtar ku në qendër do të jetë muzika shqiptare, por që do të vijë për publikun natyrisht me një kombinim të bukur me klasiken, siç vetëm ai di ta bëjë. Shkëlzen Doli ka vendosur të tregojë detaje mbi koncertin e 23 shtatorit që do të mbahet në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, i cili do të transmetohet edhe nga televizione të ndryshme në Europë, SHBA dhe Azi. Për herë të parë, në këtë intervistë ekskluzive për “Tirana Today”, violinisti i mirënjohur ka bërë publike disa prej emrave që do të marrin pjesë në këtë koncert por edhe detaje mbi repertorin që do të luhet në natën e 23 shtatorit.
“Do të ketë muzikë që shqiptarët janë rritur dhe edukuar për gjysmë shekulli, muzikë nga festivalet kombëtare dhe të kompozitorëve të njohur shqiptarë, por do ketë edhe nga Kosova. Ideja është që edhe orkestra e cila do të jetë e përbërë nga 70 vetë të përzier nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Do jenë të ftuar solistë të Filarmonisë së Vjenës, violinçelisti Sebastian Brun dhe një pianist Italian, Luca Monti me të cilin kam vite që bashkëpunoj. Është një koncert ku të gjithë ne shqiptarët mblidhemi për një çështje, për ta përçuar këtë muzikë, jo vetëm në trojet shqiptare por edhe në të gjithë botën”-shprehet Doli.
Për herë të parë, në intervistën për “Tirana Today” Doli ka rrëfyer detaje interesante të koncertit të 2 janarit që u mbajt në pallatin e Kongreseve siç ishte gota e rakisë që iu ofrua muzikantëve austriakë, anëtarëve të Filarmonisë së Vjenës. “U pëlqeu por mezi e luajtën pjesën e fundit sepse më thanë që ishte me të vërtet raki e fortë por u shijoi”.
Violinisti flet në intervistë edhe mbi planet e tij për të ardhmen që përfshijnë krijimin e një shkolle dhe një orkestre që mban emrin e tij Shkëlzen Doli, me të cilën dëshiron tu përçojë brezave të rinj gjithë aftësitë dhe bagazhin e tij artistik. Por jo vetëm kaq, për herë të parë artisti ka folur edhe për ndërtimin e një amfiteatri tek Kepi i Rodonit. Shkëlzen Doli ka rrëfyer edhe mbi vështirësitë në fillimet e karrierës së tij në Vjenë, ku madje nuk kishte as se ku të flinte, çka e ka nxitur atë të jetë edhe pjesë e projektit bamirës “Fundjavë Ndryshe” . Në intervistë, Doli ka folur edhe mbi miqësinë e tij me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Intervista:
Z.Doli pas koncertit të 2 janarit, jeni rikthyer në Shqipëri sepse në 23 shtator keni vendosur që ta shndërroni sheshin Skëndërbej në një arenë madhështore për të gjithë artdashësit, jo vetëm të muzikës shqiptare por edhe asaj botërore. Jeni ideator dhe udhëheqës artistik i këtij projekti. Pse Shkëlzen Doli-Albanian Soul, pse ky emër?
Kam dy vite që merrem me ideimin e këtij koncerti mbarë kombëtar shqiptar, për të përfaqësuar muzikën tonë që është thesar i çmuar, jo vetëm për Shqipërinë sepse ky koncert do të transmetohet në shumë shtete të tjera. Pra këtë muzikë që ne kemi kaq për zemër ta shpërndajmë në të gjithë botën.
Është thënë që do të transmetohet edhe në SHBA, Europë dhe Azi, çne ky interes?
Duam edhe ne që koncerti të transmetohet, që edhe popuj të tjerë të njohin kulturën shqiptare. Por është edhe reciproke, sepse është edhe interesi i tyre që këtë muzikë kaq të bukur nga disa aranzhatorë shqiptarë dhe kompozitorë, do ketë edhe pjesë të kompozuara ekstra. Pra ka zgjuar interes sepse është muzikë e bukur.
Keni dhënë shumë pak detaje për koncertin deri më tani. Do të na jepni ndonjë detaj? Flitet për të ftuar specialë por nuk ka ende asnjë emër.
Do të ketë muzikë shqiptare që shqiptarët janë rritur dhe edukuar me këtë muzikë për gjysmë shekulli, do ketë muzikë nga festivalet kombëtare dhe të kompozitorëve të njohur shqiptarë, por do ketë edhe nga Kosova. Ideja është që edhe orkestra e cila do të jetë e përbërë nga 70 vetë, pak a shumë, të përzier nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Të gjithë janë artistë të mirënjohur, falë Zotit kemi shumë talente të cilët akoma nuk i kemi parë në skenë. Është një koncert ku të gjithë ne shqiptarët mblidhemi për një çështje, për ta përçuar këtë muzikë, jo vetëm në trojet shqiptare por edhe në të gjithë botën siç ju thashë. Do ketë përpos muzikës shqiptare, do të ketë edhe muzikë botërore të njohur. Do jenë të ftuar solistë të Filarmonisë së Vjenës, një flautist, violinçelisti Sebastian Brun gjithashtu solist i Filarmonisë së Vjenës. Ne të 3 do të jemi solistë për pjesën klasike botërore ku do të marrë pjesë edhe një pianist Italian, Luca Monti me të cilin ka vite që bashkëpunoj dhe jeton po aq gjatë sa unë në Vjenë. Kombinojmë shumë bukur, kemi luajtur shpesh dhe kemi incizuar një CD, pra një bashkëpunim i kahershëm. Mendoj që do jetë bashkëpunim i bukur i ne 4 solistëve me orkestrën e madhe mbarë shqiptare.
Në 2 janar interpretuat në Pallatin e Kongreseve bashkë me një Ansambël nga Filarmonia e Vjenës. Ishte një koncert madhështor, i pari i këtij lloji. Shumë njerëz mbetën të pakënaqur se nuk arritën dot të blejnë biletat ndërsa të tjerë u emocionuan. Ju vetë i arritët pritshmëritë e atij koncerti?
Po, po patjetër. Pengesa ka si gjithmonë sepse gjënë e bukur duan të gjithë ta bëjnë vetë, këtë e kuptoj. Madhështor quhet një koncert vetëm për nga niveli se mund të jesh vetë i dytë apo vetë i tretë, për mua niveli ka shumë të bëjë. Ishte ansambli im që merr pjesë në festivale apo koncerte të ndryshme të botës. Domethënë, çdo anëtar i Filarmonisë së Vjenës ka të drejtën të krijojë një ansambël me anëtarë të Filarmonisë, ka frymorë, ka kuartet harqesh pra ansamble nga më të ndryshmet. Dhe unë këtë e kam bërë me qëllim që të bëj koncerte, duke filluar nga kuarteti e deri në 35 veta, pra një ansambël që mund të luajë për nga repertori pjesë nga më të ndryshmet. Ishte një koncert që i duhej Tiranës dhe e bëri Tiranën për ato 2 orë kryeqendër e kulturës së rajonit që nuk është gjë e vogël.
Në këtë kuptim thoni që i duhej Tiranës?
I duhej, po, me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë. Është një gjë që Tirana e meriton do të thosha.
Një nga momentet më pikante, ose që i ka mbetur në mendje publikut ishte kur ju i ofruat nga një gotë raki muzikantëve nga Austria dhe ata vendosin qeleshet ndërsa luhej Danubi Blu i Shtrausit. Ishte skenar i menduar mirë nga ju dhe me çfarë qëllimi?
Ishte një element i lezetshëm për të treguar që u vëllazëruam së bashku. Austria, kuptohet ka një lidhje të ngushtë dhe shekullore me shqiptarët. Ne kemi pas gjithmonë mbështetjen austro-hungareze dhe doja që ne të gjithë së bashku të kemi një simbol që na bashkon. Ndaj duke menduar, thashë OK, një qeleshe do të ishte gjëja e duhur me një mbështetje për të ngrohur shpirtin me raki të fortë siç janë vetë shqiptarët.
U pëlqeu austriakëve rakia shqiptare?
Po, u pëlqeu por mezi e luajtën pjesën e fundit sepse më thanë që ishte me të vërtet raki e fortë por u pëlqeu shumë edhe kolegëve të mi. I shijoi.
Ndalemi tek një tjetër koncert për të cilin ju duhet të keni shumë emocione, besoj. E kam fjalën për koncertin në Vatikan me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Mund të na thoni si është të interpretosh në Selinë e Shenjtë në një ditë kur shenjtërore shqiptarja më e famshme në botë?
Është me të vërtetë një moment magjik, se ne muzikantët dhe jo vetëm klasikë, por çdo muzikant që ka shpirt dhe mund ta përçojë atë shpirt tek publiku, e ka të vështirë në fakt sepse është gjithmonë kalimi përmes zemrës dhe kokës. Pra duhet të jesh gjithmonë vigjilent që të mos marrë shpirti më shumë se sa koka. Dmth, për ta shijuar maksimumin e shijon më shumë publiku se sa vetë artisti sepse ne duhet ta kemi nën kontroll gjithë kohën veten, por për ta shijuar tamam, maksimumin e emocioneve i merr publiku.
Jeni shprehur në një intervistë, po ju citoj: “Ëndrra ime më sublime si shqiptar u bë e prekshme kur shleva një detyrim moral, prezantimin e muzikës shqiptare në sytë e mbarë botës”. Po publiku shqiptar jua ka shpërblyer?
Unë nuk bëj diçka për të pritur shpërblimin nga publiku shqiptar, unë e kam bërë sepse ishte detyrim moral për mua dhe do ta bëj gjithë kohën. Edhe ky koncerti i 23 shtatorit nuk është gjë tjetër përveçse detyrimi im për të bërë një gjë të bukur, për ta përçuar muzikën tonë tek publiku, tek artdashësit dhe besoj do t’ia arrijmë qëllimit.
Doja t’ju pyesja, si pritet muzika shqiptare në vende të ndryshme ku ju interpretoni? Cila është ndjesia, perceptimi?
Është e bukur sepse unë nuk e afroj puro ashtu siç është sepse ata janë rritur e edukuar ndryshe dhe çdo gjë që prezantohet jo e “paketuar” me veshin e Europës qendrore mund të jetë edhe shumë, si të hash 5 lugë mjaltë njëra pas tjetrës, pra e vel njeriun sepse është shumë intensive. Ndaj unë provoj që këtë muzikë ta vendos në atë paketimin, aranzhimin e bukur të veshit artdashës që e do muzikën autoktone, por prapë se prapë të jetë “paketim” klasik në mënyrë që të jetë i kapshëm për veshin e Evropës apo atë ndërkombëtar. Ata çuditen më shumë me aftësinë që një klasik mund të luajë edhe popullore se unë nuk e luaj populloren si muzikë klasike por e luaj me vërtet siç mund ta luaj një muzikant autokton i muzikës popullore. Dhe kjo përzierje e interpretimit klasik me populloren çon më shumë kureshtje dhe u duket shumë interesante. Dhe duan ta njohin edhe më shumë, ndaj ka edhe interes nga disa vende për ta transmetuar këtë koncert në televizionet e tyre.
Keni thënë gjithmonë që muzika popullore ka qenë burim frymëzimi për ju dhe nga nostalgjia keni dëgjuar muzikë nga të gjitha trevat shqiptare. Po, a ka ndonjë trevë të veçantë që ju frymëzon më shumë?
Jo, jo. Të gjitha janë të bukura. Unë them se variacionet, pra të ndërrosh, të kalosh nga jugu në veri të fut në emocione, por jo nuk mund ta veçoj një krahinë.
Kalojmë pak në aspektin personal, se ju përveçse bëni një përzierje shumë të veçantë muzikore, jeni edhe vetë i veçantë sa i takon historisë së jetës tuaj. Keni lindur në Elbasan, rritur në Gjakovë e student në Novi Sad, ndërsa prej shumë vitesh me një karrierë të pasur në Vjenë. Bëhet fjalë për kultura dhe vende totalisht të ndryshme. Ku e gjeni më shumë veten?
Gjithandej ku ka shqiptarë do të thosha e ndjej veten mirë, por unë kam vite që jetoj në Vjenë dhe ajo është bërë shtëpia ime e dytë. Nuk mund të them, sepse gjithandej ndihem mirë. Me miq e shokë të mirë, s’ka rëndësi vendi.
Ju thoni që në trojet shqiptare, fama merr tjetër dhe deri diku të kufizon lirinë. Ka njerëz që ju ndalojnë në rrugë dhe çfarë ju thonë? Ju bezdis kjo?
Jo fare, jo. Nuk ka shumë në fakt por ka dhe nga ata që ndonjëherë duan të bisedojnë, por nuk më bezdis, sepse nuk e kam famën në atë shkallë që mund të të njohë çdo i dytë. Por është një rreth i ngushtë që e do muzikën, e do violinën dhe jam shumë mirënjohës që ka nga këta.
Ndalemi pak tek vlerësimet tuaja profesionale. Kur erdhët në qershor të vitit të kaluar keni vlerësuar punën që ka bërë drejtori i mëparshëm I TKOB, Ilir Kerni dhe jeni shprehur që “është një frymë e re, një vëmendje në rritje ndaj kulturës dhe traditës popullore që duhet të vazhdojë”. Tashmë ju e dini, z. Kerni nuk është më drejtues por është zj. Zana Çela. Ndaj doja të dija, se cili është mendimi juaj, po vazhdon kjo frymë e re që e keni quajtur të rëndësishme?
Nuk e di, unë kam pasur një bisedë edhe me zj. Zana Çela për të ardhmen, për të bërë disa projekte që besoj se do të realizohen. Kjo frymë nuk varet nga një drejtor por janë individët ata që mbajnë shoqërinë dhe duan që kjo shoqëri të ecë përpara. Dhe nga këta njerëz ka shumë Shqipëria, ka Tirana dhe besoj që do ketë gjithmonë.
Një tjetër violinist i madh, Andre Rieu që pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, përzierja e valsit që bën ai me muzikën popullore ka shkaktuar herë pas here kritika nga media ndërkombëtare. Ju ka ndodhur që të ketë pasur ndonjë kritikë për të cilën jeni ndjerë keq?
Kritikë ndaj meje? Jo. Por unë Andre Rieu nuk e fus tek muzikantët klasikë të mirëfilltë sepse ai mund të jetë menaxher shumë i mirë dhe violinist i mirë por muzika dhe niveli i interpretimit të tij është kryesisht për masën. Muzika klasike e mirëfilltë do të mbetet gjithmonë elitare dhe nuk ka se si t’a kapi masën. Ky është ndryshimi që unë dua të bëj, pra të kap masën me nivelin e muzikës klasike, çka është e vështirë.
Ju pyeta pak për kritikën, si është kritika në Shqipëri?
Në publik, të gjithë kritikë janë, dmth, duhet të jesh në nivel shumë të lartë për tu pëlqyer nga publiku. Ka edhe kritikë shumë ekspertë të muzikës, padyshim.
Jehudi Menuhin, i konsideruar si një prej violinistëve më të mëdhenj të shekullit të 20-të ka themeluar festivalin Menuhin në Zvicër. Ju vetë e keni një dëshirë të tillë. Pra ekziston në planet tuaja që mbase një ditë të ketë një shkollë apo festival me emrin Shkëlzen Doli në Shqipëri?
Po, po patjetër. Është edhe ky synimi im në të ardhmen që të gjithë atë bagazh që unë kam marrë si nga muzika jonë e bukur shqiptare por edhe ajo klasike t’ua përçoj brezave të rinj. Dhe rruga më e mirë për ta bërë këtë është me hapjen e një shkollë apo edhe një festival. Kemi disa plane për të ndërtuar një amfiteatër, ka mundësi të bëhet tek Kepi i Rodonit, këtë po jua them që tani. Janë plane afatgjatë që besoj do të realizohen për ti dhënë mundësi brezave të rinj të mos kenë nevojë të dalin jashtë për tu shkolluar por këtë nivel të marrin edhe në Shqipëri apo në trojet shqiptare.
Menuhin pati themeluar edhe “Live Music Now”-një projekt bamirës që paguan dhe trajnon muzikantë profesionistë të punojnë në komunitet për ti dhënë mundësinë atyre që nuk kanë mundësi të shohin e dëgjojnë muzikë live. Çfarë mendoni për këtë lloj qasje me një publik jo të rafinuar si ai që ju ndjek në Vjenë?
Po, edhe ky koncerti i 23 shtatorit që do të bëhet në Tiranë, do të ketë një kontingjent edhe për ata që nuk kanë mundësi të blejnë bileta. Do ketë disa falas, do ketë edhe çmime shumë të ulëta për dashamirësit që e duan këtë muzikë por nuk kanë mundësi. Do ketë pra rangje të ndryshme.
Ju vetë, bëni bamirësi? Dhuroni?
Po, kam qenë edhe pjesë e Fundjavë Ndryshe dhe shpresoj që do jem prapë. Ne shqiptarët e kemi bamirësinë në gjak, nuk e kemi të shtirur. Kemi ndihmuar gjithmonë njëri tjetrin por jo vetëm, edhe kombet e tjera. Dihet në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, të gjithë hebrenjtë që u shpëtuan nga shqiptarët. Pra ne ndihmojmë. Dhe më vjen shumë mirë për këtë iniciativë që po i mbledh të gjithë artistët apo protagonistë të cilët kanë pak emër për të sensibilizuar publikun dhe njerëzit që të ndihmojnë.
Keni arritur dot ta prekni apo ta perceptoni varfërinë, realitetin në Shqipëri? E keni një ide?
Po, po e kam, sepse e kam kaluar edhe vetë këto faza.
Në ç’kuptim?
Po kur kam qenë në Vjenë, një javë kam fjetur në park në fillimet e mia.
Pra, s’kishit vend ku të flinit?
Po, s’kisha ku të flija. Njeriu mund të zbresë shumë shpejt tek ky nivel. Të gjithë ne shqiptarët kemi vështirësi dhe të gjithë kemi çarë si individë vetë. Por besoj se prandaj e kemi zemrën e madhe e kemi prekur vetë.
Cila është marrëdhënia juaj me Kryeministrin Edi Rama? Jeni miq?
Shumë e mirë. Si artistë e respektojmë njëri tjetrin dhe punën apo arritjet e njëri tjetrit. Dhe jam shumë krenar e më vjen mirë që e kemi një njeri që do ta çojë Shqipërinë aty ku të gjithë ne e duam.
E thatë shpesh që doni të frymëzoni të rinjtë në Shqipëri që s’kanë pse të ikin jashtë por mund të studiojnë këtu. Ndërkohë në vend ka një debat pasi kanë ikur figura të njohura të artit, çka jep shembull të keq duke nxitur tek njerëzit me idenë se “nuk rrihet në këtë vend”. Ju çfarë do ti thoshit publikut shqiptar?
Nuk e di, është mentaliteti shqiptar që çdo gjë e huaj është më e mirë se sa shqiptare. Gjithmonë ka qenë kështu, së paku nga momenti kur është hapur Shqipëria. Shumica duan të ikin, OK mund të marrësh edukatën apo mësim nga ana profesionale jashtë shtetit por detyrimi ynë është që të kthehemi dhe të ngremë brezat e rinj të cilët do të jenë bazë e një Shqipërie të re. Kjo është ajo që unë bëj, sepse nuk do të vija përndryshe po të mos kisha këtë obligim moral sepse kam shumë punë andej dhe mund të drejtohesha komplet për Amerikë, Japoni apo Australi, ku jap koncerte. Por është ky obligim, kjo ndjenjë që unë e kam, që dua patjetër të ngre brezat e rinj, pra atë që di, ta jap këtu në Shqipëri.
A ka një tjetër emocion kur luan për publikun shqiptar në krahasim me atë të huaj, ka një lloj drithërime brenda shpirtit?
Po, është ndryshe, sidomos për muzikën shqiptare ngaqë e di që edhe kuptohet por edhe e duan më shumë.
Kështu që mund të themi që e doni më shumë duartrokitjen shqiptare?
Patjetër, patjetër që po.
https://www.facebook.com/tiranatodaycom/videos/345671632544247/