Për shkak të mosrespektimit të procedurave të raportimit të rasteve të dyshimta për pastrim parash, së fundmi janë gjobitur edhe agjencitë e këmbimit valutor.
Për disa agjenci këto gjobitje kanë qenë të padrejta, prandaj 6 prej tyre i janë drejtuar Gjykatës Administrative dhe disa të tjera i kanë çuar paditë deri në Gjykatën e Lartë.
Mësohet se shumat e gjobave arrijnë deri në 1 milionë lekë. Subjektet kanë kërkuar nga Gjykata Administrative shfuqizimin e ndëshkimit të vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, si dhe heqjen e masës së gjobës.
Të dhënat zyrtare tregojnë se shuma totale e gjobave të vendosura në dy vitet e shkuara ndaj agjencive të këmbimit valutor kalon vlerën 10 milionë lekë, shkruan Scan.
Ndërkohë që ligji për pastrimin e parave i detyron agjencitë e këmbimit valutor të mbledhin informacione të mjaftueshme për rastet e dyshimta për të kuptuar plotësisht burimet e financimit, natyrën e veprimtarisë, si dhe të raportojnë çdo rast në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.