Ministria e Financave ka lëshuar një udhëzim ku shpjegohet mënyra sesi do të propozohen dhe klasifikohen projektet e investimeve publike. Kjo mënyrë është në përshtatje me ligjin e ri organik të buxhetit i cili hyri në fuqi vitin e kaluar.
Për tu financuar nga fondet publike secili projekt duhet të kalojë 6 etapa:
- Identifikimi i projektit përmes proçesit të shqyrtimit të ideve për projekte investimi;
- Vlerësimi dhe përgatitja e projektit përmes proçesit të analizës dhe vlerësimit të efektivitetit ekonomik dhe financiar, si dhe mundësisë së realizimit të projektit;
- Aprovimi dhe financimi i projektit gjatë fazës në të cilën projekti shqyrtohet/aprovohet për financim nëpërmjet proçesit të përgatitjes të kërkesave buxhetore të “Programit Buxhetor Afatmesëm” të njësisë së qeverisjes së përgjithshme përkatëse;
- Zbatimi i projektit në fazën ku projekti vihet në jetë dhe realizohen outputet e tij;
- Monitorimi i zbatimit të projektit ku ndiqet ecuria e zbatimit fizik të investimit dhe informacioni i dërgohet Thesarit për zbatimin financiar të projektit (kontabilizimi i shpenzimeve);
- Raportimi i projekteve, Vlerësimi dhe Auditimi ku raportohet për zbatimin fizik dhe financiar të projektit. Ky informacion i dërguar testohet kundrejt rregullave financiare dhe realizimit të treguesve të perfomancës së projektit.
Ministria e Financave thotë se, propozimet për investim duhet të marrin në shqyrtim sa më shumë mënyra alternative për zgjidhjen e problemit dhe realizimin e objektivave.
Për shembull, për te zgjidhur rritjen e kërkesës për energji elektrike të një vendi, ekziston një zgjedhje midis ndërtimit të një hidrocentrali apo një termocentrali. Brenda tyre ka gjithashtu disa alternativa, si p.sh. në rastin e hidrocentralit mund te zgjedhim midis digave apo gjeneratorëve të përmasave të ndryshme, të kombinuar në mënyra të ndryshme, shkruan Monitor.
Ndërsa në rastin e termocentraleve mund të zgjedhim lëndën djegëse, fuqinë, vendndodhjen, etj. Ne një tjetër shembull, i cili lidhet me mbipopullimin e klasave në shkollat fillore të qyteteve, mund të merren në shqyrtim alternativa e ndërtimit të një shkolle të re, ndërtimit të anekseve të një shkollë ekzistuese, marrjes me qira, organizimin e mësimit në turne të ndryshme, transportimin e nxënësve në shkolla të tjera, etj.
Analiza e alternativave është një pjese shume e rëndësishme e analizës se investimit. Qëllimi i zhvillimit te opsioneve alternative është qe te ndihmoj ne gjetjen e nje zgjidhjeje efektive dhe ekonomike te përdorimit te fondeve, qe përmbush rezultatet e dëshiruara dhe objektivat e ndërhyrjes me investimin.