Vëllai i tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyçi të vrarë në Serbi në vitin 1999, Fatos Bytyçi në një intervistë për “Zërin e Amerikës” fajësoi presidentin aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se është duke mbrojtur hapur ekzekutorët e vëllezërve të tij sepse ata janë në partinë e tij.
“Premtimi i tij është bosh. Kur ne dhe zyrtarët amerikanë kemi takime me Aleksandër Vuçiçin, i themi atij që njëri nga të dyshuarit është Goran Radosaleviç, Guri, anëtarë i partisë suaj. Por ai nuk ka dëshirë të bisedoj për këtë çështje. Jo vetëm Goran Radosaleviçi, por edhe ekzekutorët e vëllezërve të mi janë anëtarë të partisë së Aleksandër Vuçiçit. Kështu që, ai në mënyrë të hapur i mbron ata”, tha Fatos Bytyçi.
Gjithashtu, Bytyçi tha se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për të zbardhur rastin e tyre dhe nxjerrë para drejtësisë personat përgjegjës. Pavarësisht premtimeve që u kanë bërë zyrtarëve amerikanë dhe ndonëse kanë kaluar 18 vjet nga vrasja, ai viktimave beson se autoritetet serbe nuk kanë vullnetin për të ndëshkuar përgjegjësit.
Sot është 18 vjetori i vrasjes së tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi ndërsa mbaheshin të arrestuar nga forcat serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.
Fatos Bytyçi pret që rasti i vëllezërve të tij të ngrihet edhe në takimin mes Presidentit serb Aleksandër Vuçiç me nënpresidentin amerikan Mike Pence këtë javë në Uashington.