Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar 2 korrikun e 1990, datë në të cilën, siç ka thënë Kosova ka treguar se do të vetëvendosë për fatin e saj.
“Më 2 korrik 1990, Kosova kishte treguar se do të vendos vetë për fatin e saj dhe nuk do të durojë diskriminimin dhe represionin. E kujtojmë me respekt këtë datë, bashkë me gratë dhe burrat që kontribuuan shumë për jetësimin e aspiratave tona”, ka thënë Thaçi.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.
Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë, po edhe të komuniteteve të tjera të Kuvendit të Kosovës.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme socialiste në federatën jugosllave.