Elbasani ka qenë sot nje prej qarqeve ku ka pasur më shumë raste denoncimesh. Pas publikimit të këtyre denoncimeve, Kryeprokurori Llalla dhe ambasadorja Vlahutin kanë shkuar në disa qendra votimi në Elbasan për të parë nga afër ecurinë e proceseve të votimit.
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin ka qenë e pranishme në disa qendra votimi, madje edhe në një qendër ku dyshohej se shpërndaheshin para në këmbim të votës. Në përgjithësi në këtë qark, ku votojnë 339 751 persona, procesi ka qenë i qetë.
Ka qënë vetë kryetarja e delegacionit të BE-së në Shqipëri që u është drejtuar personalisht personave që qëndronin jashtë qendrave të votimit. “A e dini që nuk lejohet qëndrimi juaj këtu? Nëse jeni votues, duhet të mbaroni dhe të largoheni. Askush nuk duhet të qëndrojë këtu”, është shprehur ajo.
Delegacioni Europian ka 10 skuadra vëzhguese në të gjithë vendin.
Ndërkohë që paralelisht, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka shkuar në Elbasan pas rasteve të shumta të denoncimeve me parregullsitë në procesin e votimit.
Kryeprokurori është takuar me drejtuesin e Prokurorisë së qarkut të Elbasanit me të cilin ka biseduar në lidhje me këto parregullsi.
Raportohet se autoritetet kanë nisur hetimet për disa persona.