Anders Aslund, “Project Syndicate”/Rusia e Vladimir Putinit, është duke u dukur gjithnjë e më shumë si Bashkimi Sovjetik sklerotik dhe në stanjacion i epokës së Leonid Brezhnev-it. Por në një aspekt, regjimi i Putinit mbetet novator:korrupsionin. Në fakt, në vitin e 18-të të sundimit të Putin, ka marrë formë një lloj i ri i kapitalizmit nepotik.
Gjatë dekadës së fundit, Putin ka mbikëqyrur një rishtetëzim të madh të ekonomisë ruse. Sektori shtetëror u zgjerua nga 35 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2005, në 70 për qind në vitin 2015. Duket se sipas fjalëve të Leninit, shteti ka rifituar kontrollin e “lartësive komanduese” të ekonomisë.
E megjithatë, duket se kompanitë shtetërore, si gjigantët e energjisë Gazprom dhe Rosneft, operojnë si biznese moderne. Tek e fundit, ato kanë rregullat dhe politikat e administrimit të korporatave, bordet mbikëqyrëse dhe menaxhuese, si dhe takime vjetore të aksionarëve. Ato i nënshtrohen auditimeve të pavarura ndërkombëtare, publikojnë raporte vjetore, dhe mbajnë borde me drejtues të pavarur.
Por pamja e jashtme mund të mashtrojë. Rregullat dhe politikat e kompanive të mëdha shtetërore janë thjesht formalitete. Ato as nuk drejtohen realisht nga shteti. Në vend të kësaj, ato janë të kontrolluara nga një grup i vogël miqsh – ish-oficerë të KGB-së, ministra, si dhe zyrtarë të lartë në administratën e presidentit – të cilët veprojnë si përfaqësues personalë të Putinit.
Sistemi mbart vulat e modelit të lashtë feudal, të përshkruar nga profesori i Universitetit të Harvardit, Richard Pipes, në librin e tij klasik “Rusia nën Regjimin e Vjetër”:ai i garanton një maksimum lirie sundimtarit, i cili ia delegon detyrat feudalëve. Në fakt, kompanitë shtetërore ruse, e kanë transformuar pronën publike në një model të ri të pronësisë cariste.
Investitorët ndërkombëtarë janë zënë në kurth. Ata blejnë aksione ruse, por vetëm për rendimentet e dividendëve të konsiderueshëm – dhe jo për ndikimin e aksionarëve. Kësisoj nuk është e habitshme që kapitalizimi i tregut të Gazprom-it, ka rënë nga kulmi prej 369 miliardë dollarësh në majin e vitit 2008, në afro 55 miliardë dollarë sot.
Operacionet e të ashtuquajturave korporatave shtetërore, janë veçanërisht problematike. Ligjërisht, këto firma, të cilat përfshijnë Vnesheconombank (VEB) dhe Russian Technologies (Rostec), janë organizata të pavarura joqeveritare.
Por ato janë krijuar me anë të dhurimit të fondeve apo pronave shtetërore:kur u krijuan 6 korporata të tilla në vitin 2007, rreth 80 miliardë dollarë asete dhe 36 miliardë dollarë fondeve të freskëta shtetërore iu transferuan atyre. Kjo i vendosi nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Putinit.
Kapitalizmi shtetëror, është zakonisht i lidhur me strategjitë e drejtuara publikisht për investime dhe zhvillim teknologjik. Dhe në fakt, korporatat shtetërore të Rusisë janë gjoja të përqendruara në avancimin e interesit publik, apo krijimin e të mirave publike. aNë realitet, menaxherët bëjnë çfarë të duan, si për shembull favorizojnë miqtë e tyre përmes prokurimeve të fshehta, apo shitjes së aseteve me çmime më të vogla nga ato të tregut.
Drejtuesit besnikë të kompanive të mëdha shtetërore, gëzojnë mandate të gjata, pavarësisht nëse i përmbushin apo jo standardet e zakonshme të efikasitetit, fitimit, apo novacioneve. Asnjë nga këta krerë nuk ka shkatërruar më shumë vlera se sa Aleksei Miller i Gazprom-it, por ai ka qenë në krye të kompanisë për 16 vjet me radhë. Në vitin 2013, paga zyrtare e tij arriti në 25 milionë dollarë në vit.
Sot, nuk ka ndonjë tregues se sa fiton ai, ndërsa shpërblimi i drejtuesve të kompanive shtetërore nuk publikohet më. Në këmbim të çeqeve të tyre të majme, lordët e Putinit duhet të avancojnë interesat e tij – veçanërisht kur dalin çështje gjeopolitike që kërcënojnë mbijetesën e regjimit.
Për shembull, Gazprom-i ka ndërprerë furnizimin me gaz për fqinjët e pabindur, të cilët Kremlini dëshiron t’i ndëshkojë, një praktikë kjo me kosto të mëdha tregtare, ndërsa furnizon të gjithë Rusinë, pavarësisht nëse paguhet apo jo.
Rosneft-i i ka huazuar miliarda dollarë kompanisë shtetërore të naftës në Venezuelë – me rafinerinë venezueliane në pronësi të SHBA-së, Citgo, si kolateral – në një përpjekje të qartë për të shfrytëzuar gjendjen e vështirë ekonomike të vendit me qëllim qasjen në fushat e saj të naftës.
Sigurisht, as ekonomia e Rusisë nuk është në gjendjen më të mirë të saj.
Megjithatë, sistemi i Putinit duket i pajisur për të mbijetuar, edhe pas zhdukjes së rentave të naftës. Presidenti i ka lejuar “liberalët sistemikë” në administratën e tij, të imponojnë kufizime të forta buxhetore edhe tek kompanitë e mëdha shtetërore. Për shembull, Rosneft-i është detyruar të braktisë investimin e saj më vlerë-shkatërrues, si petrokimiket.
Si rezultat i kësaj, stabiliteti financiar ka të ngjarë të ruhet. Në çdo rast, nëse çmimi i naftës mbetet në rreth 50 dollarë për fuçi, rentat e naftës ruse do të mbeten të konsiderueshme. Megjithatë, sfida të reja në këtë sistem janë në zhvillim – duke filluar me nepotizmin. Kapitalizmi rus i miqve, ka edukuar një klasë të vogël individësh tepër të pasur, fëmijët e të cilëve caktohen në poste të larta shtetërore kur mbushin 30-vjeç. Sigurisht që kjo ushqen pakënaqësi në mesin e të rinjve, të aftë dhe ambiciozë.
Për shembull, Petr Fradkov, djali i ish-kryeministrit Mikhail Fradkov, u bë nënkryetari i VEB-it në moshën 29-vjeçare. Sergei Ivanov, i biri i ish-shefit të kabinetit të Putinit, u bë nënkryetar i parë i Gazprombank në moshën 25-vjeçare (dhe president i Alrosa-s, kompania shtetërore e diamanteve në moshën 36-vjeçare). Djali i shefit të Rosneft Igor Sechin, Ivan, u bë zv.drejtor i një departamenti të Rosneft në moshën 25-vjeçare.
Modeli i ri i kapitalizmit nepotik në Rusi, duket të jetë një përpjekje e qëllimshme për t’u matur me suksesin e sistemit të vjetër feudal të Rusisë – një sistem që në fund të fundit, zgjati për shekuj me radhë. Por kohërat kanë ndryshuar, së bashku me të ardhurat, nivelet e arsimimit të qytetarëve , dhe ekspozimin ndaj ideve që vijnë nga jashtë. Në botën e sotme, një sistem i tillë paraqet një kërcënim të vërtetë për stabilitetin shoqëror dhe politik të Rusisë.
Kur lideri i opozitës Aleksei Navalni, realizoi një dokumentar në lidhje me korrupsionin e dyshuar të kryeministrit Dimitri Medvedev, atë e panë më shumë se 20 milionë njerëz. Muajin e shkuar, dhjetëra mijëra njerëz rolën në rrugë në 90 qytete ruse, për të protestuar kundër korrupsionit. Themelet e regjimit neo-feudal të Putinit, mund të dyshojë dikush, mund të plasariten, edhe nëse pallati mund të mbahet në këmbë për një fare kohe.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce
Shënim: Anders Aslund është analist në Këshillin Atlantik në Uashington. Ai është autor i librit “Ukraina:Çfarë shkoi keq, dhe si duhet ndrequr situata”, dhe më së fundi librin “Sfida evropiane e rritjes ekonomike”.