Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ka komentuar sot deklaratën e fortë të presidentit të zgjedhur, Ilir Meta, i cili bëri thirrje për armatosjen e popullit në rast se prekej vota.
E ftuar në emisionin “Këndi i Ekselencës”, Gjosha iu përgjigj pyetjeve të studentëve, teksa tha se kjo deklaratë erdhi pas thirrjeve të kryeministrit Edi Rama drejtuar policisë së shtetit për të bërë fushatë për Partinë Socialiste pas pune. Gjithashtu,Gjosha e justifikoi deklaratën e Metës, teksa tha se çdo qytetar duhet të vetëmbrohet nëse s’e mbron shteti:
“Kjo ka qenë retorikë pas thirrjes së kryeministrit për policinë e shtetit që të marrin pjesë në fushatë për PS. Nuk është çështje faljeje, kryeministri duhet të sigurojë votën e lirë të çdo qytetari, që nis me policinë e shtetit, sidomos në ditë fushate ku tensioni është më i madh. Kjo është e jashtëligjshme. Qytetari duhet të vetëmbrohet nëse s’e mbron shteti,” tha Gjosha.