Praktikat e punës pasi mbaroni fakultetin janë shumë të rëndësishme. Aty është përballja e parë e çdo studenti për të vënë në zbatim praktikat gjithçka ka mësuar në universitet. Ata që dëshirojnë të kryejnë praktikë pune në administratën shtetërore, institucione të pavarura, njësitë e qeverisjes vendore apo në biznese, kanë edhe një javë kohë për të aplikuar.
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ka bërë thirrjen e tretë për të interesuarit. “Në zbatim të vendimit nr. 395, datë 29.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në administratën shtetërore dhe institucionet e tjera publike”, i ndryshuar, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është ngarkuar të realizojë thirrjen e tretë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.
Aplikimi do të zgjasë deri në datën 25 qershor 2017″, thuhet në njoftimin për shtyp.
Ata që duan të përfitojnë, duhet të përmbushin dy kritere: të kenë mbushur 21 vjeç apo 26 vjeç deri më datë 1 korrik, si dhe të jenë minimalisht të diplomuar në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor” apo diplomë të barasvlershme deri më 1 korrik.
Programi kombëtar i praktikave të punës do të zgjasë 3 muaj dhe nis nga 1 korriku deri më 30 shtator 2017.
Të interesuarit mund të aplikojnë në faqen zyrtare të programit, në të cilën publikohen profilet që kërkohen nga institucionet që ofrojnë praktikat.