Akademiku Artan Fuga shpjegoi se si po përdoren simbolet në fushatën elektorale nga liderët politikë. Fillimisht ai mori në analizë kryeministrin Rama i cili ka integruar në simbolin e tij të fushatës elektorale trëndafilin e Partisë Socialiste dhe dy gishtat, simbol i kahershëm i fitores, dhe i përdorur nga Partia Demokratike që pas rënies së regjimit komunist.
“Mendoj që Rama ka një logjikë dhe filozofi propagandistike të gjetur. E ka gjetur bukur, me trëndafilin, që do të thotë se unë përfaqësoj dhe pushtetin por dhe kritikët. Jam dhe socialist dhe demokrat. Lë të nënkuptojë se ka një marrëveshje me Bashën për një bashkëqeverisje, e shtyn dhe me logon. Edhe kur i uron ditëlindjen edhe kur thotë mbani PD në zemër. Rama dhe PS e kanë gjetur pozicionin të tillë që të sigurojnë elektoratin e vet për interesat e tij. Nuk e dimë, por do presim të shohim se ç’do të thotë ky simbol”, u shpreh Fuga në emisionin “Këtë Javë” në News 24.