Një tjetër raport e nxjerr Shqipërinë me treguesin më të përkeqësuar në Europë. Bëhet fjalë për Indeksin e Inovacionit Global për vitin 2017, të sapo publikuar nga një bashkëpunim mes Cornell University, INSEAD, dhe World Intellectual Property Organization (WIPO).
Shqipëria ndodhet në vendin e 93, nga 127 shtete në renditje. Në krahasim me një vit më parë, Shqipëria është përkeqësuar me një pozicion (një vit më parë ishte e 92-a).
Pas Shqipërisë renditen vetëm shtete të ashtuquajtura të botës së tretë, si Taxhikistani, Kurgystani, Namibia, Ruanda , Guatemala, Senegali etj.
Në këtë pozicion, Shqipëria është e fundit në gjithë Europën, duke treguar një nivel të ulët të zhvillimit të inovacionit në sektorin prodhues dhe teknologjisë së informacionit, që ka mbetur kryesisht vetëm në kuadrin e promovimit të start-ut, ndërsa shumë vende të rajonit janë kthyer ndërkohë në një ofrues të rëndësishëm të shërbimeve të teknologjisë së informacionit (IT) për të tretët dhe po përparojnë në industrinë automotive. Pas Shqipërisë renditen vetëm shtete të ashtuquajtura të botës së tretë, si Taxhikistani, Kurgystani, Namibia, Ruanda , Guatemala, Senegali etj,
Rajoni renditet shumë më mirë se ne, ku Mali i Zi kryeson në vendin e 48, Maqedonia është në pozicionin e 61, ndonëse me përkeqësim. Serbia është ngjitur në vendin e 62. Bosnja është në vend të 86.
Bullgaria, një vend që sot po merret shembull për modelin e zhvillimit të teknologjisë së informacionit është në pozicionin e 36 në botë, Rumania në vend të 42.
Shqipëria renditet më keq në indeksin e inovacionit të prodhimit, që jep informacion mbi prodhimin që është rezultat i aktiviteteve inovative në ekonomi. (që përfshin njohuritë dhe teknologjinë e prodhimit, dhe prodhimin kreativ). Në këtë nën tregues, vendi ynë është i 115-i, nga të fundit në botë (total janë 127 shtete). Serbia dhe Maqedonia, që kanë ecur mirë në drejtim të industrisë automotive, janë përkatësisht në vendin e 61 dhe të 63 në këtë nën indeks.
Më mirë Shqipëria paraqitet në nën indeksin e burimeve, që mat elementët e ekonomisë kombëtare, që mundësojnë aktivitetet inovative (institucionet, burimet njerëzore dhe kërkimin, infrastrukturën, sofistikimin e tregjeve, sofistikimin e bizneseve), ku ndodhet në pozicionin e 70, por sërish më poshtë se shtetet e tjera të rajonit (Maqedonia e 53, Serbia e 58).
Kryeson Zvicra
Raporti thekson se në këtë botim të Indeksit të Inovacionit Global, 15 nga 25 ekonomitë kryesuese vijnë nga Europa. Tre vendet e para janë nga kontinenti i vjetër në renditjen e 2017-s: Zvicra (e para), Suedia (e dyta), Holanda (e treta). Pas këtyre liderëve, mes 25 të parëve janë Britania e Madhe (5), Danimarka (6), Finlanda (8), Gjermania (9), Irlanda (10), Luksemburgu (12), Islanda (13), Franca (15), Norvegjia (19), Austria (20), Republika Çeke (24), dhe Estonia (25)./monitor/