Ish-kreu i LSI-së, Ilir Meta ka dalë në një deklaratë për shtyp, ku ka bërë thirrje që të gjithë të mblidhen më 15 qershor për të mbështetur këtë forcë politike.
Teksa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me situatën e tensionuar politikë, Meta ishte mjaft i prerë teksa tha që askush të mos guxojë të prekë votën e shqiptarëve.
Gjithashtu, Meta u shpreh se mes PDIU-së dhe LSI-së ka një bashkëpunim të gjerë, ndërsa shtoi se PD lufton për vendin e tertë me PDIU-në.
Sa i takon mesazhit të Nanos lidhur me 26-vjetorin e PS-së, Meta zgjodhi të mos bëjë asnjë koment, ndërsa theksoi se LSI do të jetë forcë e parë politike.
FJALA E METËS:
Kam kënaqësinë e veçantë t’u drejtohem qytetarëve të Tiranës që të bashkohemi të gjithë pasnesër, të enjten më 15 qershor në sheshin Nënë Tereza për t’i dhënë mbështetjen tonë ekipit më të mirë për t’u përfaqësuar në kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë, pra LSI-së sepse ka ardhur momenti që e gjithë Shqipëria t’i thotë po, për të ndryshuar politikën e imoralitetit.
Pyetje: Ku është pozicionuar LSI, do marrë më pjesë në këtë tepsi?
LSI ka vetëm një garë, me shtetin që po keqpërdor për fat të keq ish-kryetari im. LSI është forcë e parë, do e shikoni më 25 qershor. Sa i takon Lulit, unë s’e ndihmoj dot në këtë garë që ka nisur me PDIU për vendin e tretë, është i 3-ti në Dibër, i katëri në shumë qarqe të Shqipërisë.
Ka një aleancë të hapur, aleancë errësire, për të manipuluar opinionin publik, socialistët e demokratët të përjashtuar. Aleanca synon t’u imponohet shqiptarëve përmes manipulimeve, keqpërdorimit të policisë.
I kam çuar një mesazh Ramës, lidhur me Haki drogën, i cili nuk duhet të përdorë më Policinë e Shtetit përmes inskenimeve mafioze tipike të tij dhe të jeni të sigurt që ky është një plan i lexuar nga të gjithë qytetarët dhe nga vetë socialistët e demokratët dhe përgjigja do të jetë e paparë sidomos në 25 qershor.
Për atë tjetrin nuk ia vlen të merret, garon me PDIU-në dhe kjo e fundit po rritet.
LSI nuk rrezikon asgjë, janë përpjekje për të frikësuar qytetarët. LSI dhe PDIU do të jenë në një bashkëpunim për të garantuar votën e çdo qytetari shqiptar. Kjo është një aleancë e tyre kundër cdo qytetari shqiptar, LSI dhe PDIU kanë komisionerë kudo dhe do kenë një bashkëpunim të ngushtë.
Mos t’i shkojë mendja njeriut të preki një votë se as në ëndrrën më të keqe nuk e ka parë fundin e keq. Kjo nuk është fjala e Lulit në sera, por e Ilir Metës.
Askush mos të shpresojë se vë dorë në zgjedhje, ora që shqiptarët të ndëshkojnë kartelin e krimit po afron. Më mirë të largohen dy ish emigrantë nëse nuk duan të qëndrojnë si njerëz normalë në vend, sesa 56 % e shqiptarëve, jemi vendi i dytë në botë që duam të emigrojmë, për shkak të kësaj arrogance kriminale ndaj vendit.
Partitë e tyre të bëjnë ça të duan. PD është parti e 4 në Dibër, ku në një orë fjalim 55 minuta ishin kundër PDIU-së. Do të thotë që je parti e katërt në Dibër. Luli ndryshe nga Edi nuk shoqërohet me kriminelë.
Komenti mbi urimin e Nanos:
Mos prisni të merrem as me rilindësa, as me pseudo rilindësa. Mbajeni mend mirë, më 25 qershor do të votohet për një ndryshim historik për 20 vitet e ardhshme.
Unë po lajmëroj cilindo që mendon se mund të vërë dorë, siç po punohet mbi votën. Kërkon ta kthejë Shqipërinë në një magazinë e plantacion të drogës të të gjithë botës, kjo histori ka mbaruar.
I ka marrë Edi Rama mesazhet, po ua them edhe tjerëve, ta harrojnë pjesëmarrjen e ministrave për manipulimin e zgjedhjeve. Unë do dëgjoj vullnetin e popullit shqiptar.
LSI është forcë e parë në Tiranë dhe është e pandalshme për të qenë në të gjithë Shqipërinë. Për mua më kryesorja është që qytetarët të votojnë të lirë e të qetë. Është populli shqiptar që vendos njohjen ose mosnjohjen e procesit.
I bëj thirrje dhe ministrit të Brendshëm të marrë në kontroll Policinë e Shtetit. Evituam bërjen e zgjedhjeve pa opozitën, por zgjedhjet janë të shqiptarëve./ Tirana Today