Operatorët radiotelevizivë privatë, nëse në kuadër të pasqyrimit të fushatës zgjedhore vendosin të transmetojnë informacione të përgatitura nga subjektet zgjedhore, janë të detyruar që materialet pajisen me logon e partisë politike apo koalicionit përkatës.
Kjo masë parashikohet në aktin normativ që u miratua sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas aktit të miratuar me 7 vota, logoja e partisë duhet të jetë e dukshme, jo më e vogël se logoja e operatorit audioviziv që e transmeton dhe të qëndrojë në ekran gjatë kohës së transmetimit të materialit, spotit apo reklamës zgjedhore.
Neni 84, i Kodit Zgjedhor parashikon që informacionet mbi aktivitetin e fushatës zgjedhore, që përgatiten dhe transmetohen në edicionet informative, bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet duhet të identifikohen qartë në përputhje me udhëzimet e KQZ-së.
Përcaktimi i këtyre rregullave siguron identifikimin e qartë të subjektit zgjedhor që ka përgatitur materialin, si dhe garanton paanshmërinë nga ana e operatorëve radiotelevizivë privat në pasqyrimin e fushatës zgjedhore të subjekteve.
Akti i miratuar sot është pjesë e paketës me propozime që Avokati i Popullit i ka përcjelle KQZ-së per të realizuar një proces zgjedhor sipas standardeve.