Shkrimtari Kastriot Myftaraj ka reaguar lidhur me helmimin e dhjetëra personave gjatë mitingut të PD-së. Teksa rasti po hetohet nga mjekësia ligjore, shkrimtari bën thirrje që të hetohet deputeti socialist, Ervin Bushati.
Ky i fundit deklaroi pak kohë më parë se “nuk do të ishte fundi i botës nëse PD zhduket nga skena politike”.
Myftaraj krahason ndalimin e tij pas deklaratës së fortë lidhur me Vlahutin, ndërsa thotë se pas kësaj deklarate duhej të ishte ndaluar edhe Ervin Bushati.
Gjithashtu, shkrimtari shprehet se “Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj duhet të thërresë në raport Drejtorin e Antiterrorit dhe ta pyesë se përse nuk bën hetime për këtë çështje duke ruajtur të njëjtin standard që ka përdorur në raste të tjera.”
Më poshtë reagimi i plotë i Myftarajt:
Për helmin në mitingun e PD-së, Antiterrori duhet të hetojë deputetin e PS-së Ervin Bushati që në 8 maj bëri thirrje për zhdukjen e PD-së, si zhdukja e dinozaurëve
Pas hedhjes së një lënde ende të panjohur toksike në mitingun e djeshëm të PD-së, po bën hetime për këtë çështje edhe Drejtoria e Antiterrorit. Pista e parë që duhet të ndjekë në hetimet e saj kjo drejtori e specializuar është deklarata e deputetit të PS-së, Ervin Bushati, i cili në emisionin televiziv “Dritare” të Rudina Xhungës në Vizion Plus, në 8 maj ka thënë:
“Unë nuk mendoj se do ishte fundi i botës po të zhduket PD nga skena politike, Edhe Partia Demokratike, ashtu si dinozaurët mund të zhduket.”
Kur flitet për zhdukje të dinoazaurëve, flitet për zhdukje fizike. Dinozaurët u zhdukën për shkak të atmosferës toksike që u krijua pas përplasjes së një asteroidi në Tokë dhe këto qënie të mëdha nuk ishin në gjendje të merrnin frymë. A mos është lënda toksike e hedhur në mitingun e PD-së paralajmërim që njerëzit t’ i rrinë larg kësaj partie, se do të zhduken bashkë me të.
Drejtoria e Antiterrorit u përpoq të më arrestonte mua, duke më akuzuar për thirrje për veprime të dhunshme për përmbysjen e rendit kushtetues, sepse unë analizova kërcënimin që iu bë përfaqësueses së Bashkimit Europian në Shqipëri, sipas lajmit që ishte dhënë. Unë nuk bëra gjë tjetër veçse përdora të njëjtën mënyrë si CNN një ditë para se Trump të merrte detyrën e Presidentit, kur CNN tha se çfarë do të ndodhte të nesërmen nëse do të vritej Trump. Unë thjesht analizova se kush mund të ishin vrasësit e mundshëm sipas lajmit që ishte dhënë. Edhe unë si deputeti Bushati kam përdorur fjalën “mund”.
Nëse drejtori i Drejtorisë Së Antiterrorit Gledis Nano, banditi politik me të cilin vetëm sa kam nisur të merrem, nëse oficerët e Policisë Gjyqësore të atashuar pranë kësaj Drejtorie, polici militant narkopolitik Armir Shaholli dhe Elson Malaj, do të përdornin të njëjtin standard, duhet të kishin nisur hetimet edhe ndaj deputetit Bushati dhe eventualisht të kërkonin autorizim për arrestimin e tij.
Partitë politike të regjistruara ligjërisht janë pjesë e rendit kushtetues, e një shtylle të tij që është pluralizmi politik dhe që ka mbrojtje të posaçme sipas nenit 3 të Kushtetutës në fuqi.
Pas artikullit tim nuk ndodhi asnjë akt dhune ndaj përfaqësueses së BE në Shqipëri. Ndërsa pas deklaratës së deputetit Bushati ndodhi një akt dhune ndaj partisë për të cilën u paralajmërua zhdukja fizike.
Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj, i emëruar për të bërë rolin e garantit në zgjedhje, duhet të thërresë në raport Drejtorin e Antiterrorit, që është vartës i tij dhe ta pyesë se përse nuk bën hetime për këtë çështje duke ruajtur të njëjtin standard që ka përdorur në raste të tjera. Nëse jo, emërimi i këtij ministri do të ketë vlerë vetëm për pasurimin e CV-së së tij./Kastriot Myftaraj