Banka KFW do të investojë 10 milionë euro me qëllim furnizimin me ujë dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në 7 qytete në vend. Përfitues të këtij financimi janë qytetet Berat, Kuçovë, Delvinë, Gjirokastër, Kamëz, Librazhd, dhe Lushnjë.
Marrëveshja (SECO II) midis KFW dhe Republikës së Shqipërisë të përfaqësuar nga Ministri e Financave, për financimin e programit të infrastrukturës bashkiake III/IV është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi pas 15 ditësh. Programi bashkëfinancohet nga “Kontributi Zviceran II” dhe “Kontributi Gjerman”.
Mësohet se Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Agjencia Kombëtare e Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve, do të veprojë si Njësi e Koordinimit të Programit (“NJKP” ) dhe ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve, do të veprojnë si Agjenci të Zbatimit të Projektit (AZP).
Humbjet administrative mbeten në nivele alarmante prej disa vitesh, në masën 67%, ndërsa performanca e operatorëve është e dobët.