Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në KE, Christian Danielsson, pas vizitës në Tiranë publikoi diskutimet e bëra sot me politikanët pas arritjes së marrëveshjes mes kreut të mazhorancës, Edi Rama dhe atij të opozitës, Lulzim Basha. Danielsson u takua me kryeministrin Edi Rama, ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmit Bushati, ministren e Ekonomisë, Milva Ekonomi, ministren për Integrimin Evropian, Klajda Gjosha, si dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta, presidenti i zgjedhur, dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ai përgëzoi udhëheqësit politikë për shfaqjen e pjekurisë demokratike me arritjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e ngërçit politik. Ai theksoi rëndësinë e zbatimit pa probleme të marrëveshjes.
Danielsson përsëriti se fillimi i shpejtë i procesit të vettingut është tani kyç për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit Evropian.
Drejtori i Përgjithshëm i KE shkëmbeu gjithashtu mendime me autoritetet shqiptare për përgatitjet për Samitin e Triestes dhe në veçanti, për forcimin e mëtejshëm të integrimit ekonomik në rajon. U diskutua gjithashtu sesi të nxitet zbatimi i agjendës ndërlidhëse.
Danielsson shprehu gjithashtu gatishmërinë e Komisionit për të mbështetur zbatimin e planit të veprimit të qeverisë për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës.
Sakaq, ai përgëzoi Kreun e Kuvendit, Ilir Meta për zgjedhjen e tij si President i Republikës