Jo pak, por 1500 kilogramë kanabis sativa është kapur në një gomone, gjatë një operacioni të përbashkët në det, në afërsi të Korfuzit.
Në pranga janë vënë tre trafikantët, të cilët ndodheshin në bordin e gomones.
“Roja Bregdetare dhe QNOD kanë njoftuar për një mjet lundrues të dyshimtë që lëvizte me shpejtësi të madhe në jug të Shqipërisë, në afërsi të Korfuzit. Menjëherë, Policia e Shtetit në bashkëpunim me GdF në Durrës dhe Vlorë, kanë sinjalizuar dhe janë aktivizuar njësitë Guardia di Finanza, në Bari e Taranto, si dhe dispozitivi Frontex. Pas interceptimit në det, në afërsi të Kalabrisë, ka filluar një ndjekje e gjatë në det të gomones oqeanike me motorë të fuqishëm nga 400 cv”, sqaron policia.
Policia thotë se ndjekja ka filluar në mbrëmjen e datës 6 Prill dhe ka përfunduar rreth orës 16:00, të datës 7 Prill, në pjesën fundore të Greqisë, falë edhe informimit në kohë reale të Rojes Bregdetare Greke, e cila ka aktivizuar të gjithë potencialin e saj.
“Janë arrestuar tre skafistët që ishin në bord. Kanë filluar procedurat e identifikimit të tyre. Ndërkohë, janë rekuperuar dhe sekuestruar rreth 1500 kg“, mbyll njoftimin policia.