Shifrat e fundit mbi rastet e dhunës në familje në shoqërinë shqiptare janë mjaft alarmante. Vetëm në 8 muajt e parë të këtij viti, janë denoncuar rreth 3.000 raste dhune dhe janë arrestuar 478 meshkuj. Po ashtu, Gjykata e Tiranës ka shqyrtuar 600 kërkesa të grave për urdhra mbrojtjeje nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët dhunues.
Jo vetëm kaq, por në raportin e Policisë së Shtetit për vitin e kaluar theksohet që 38% e të gjitha vrasjeve u shkaktuan nga krimi në familje, ndër të cilët 90% e autorëve ishin meshkuj.
Por, cilat janë shkaqet e këtyre të dhënave të frikshme? Në një intervistë për Tirana Today, psikologia Denata Toçe rendit një sërë faktorësh të cilët ndikojnë bashkarisht në shtimin e rasteve të dhunës në familje, siç janë mentaliteti, formimi kulturor, varësia ekonomike, frika nga dhunuesi apo mosmbështetja psiko-sociale nga ana e shtetit shqiptar.
Sipas Toçes, ka pasur plot raste kur vetë të dhunuarat e kanë tërhequr padinë për shkaqe nga më të ndryshmet.
Duke iu referuar rastit të gjyqtares së ndjerë, Fildes Hafizit, psikologia Toçe thotë për Tirana Today se shteti ynë reagon vetëm pas akteve makabre.
-Së fundmi kemi një rritje të numrit të denoncimeve për sa i përket dhunës në familje. Cilat janë shkaqet e dhunës në familje: janë kushtet ekonomike, depresioni, sistemi i drejtësisë, apo mund të themi pak nga të gjitha?
-Sigurisht që dhuna në familje nuk është diçka që vjen vetëm nga një faktor. Duhet të kuptojmë që individi i dhunshëm është një person, i cili ka shumë mundësi që të ketë qenë pjesë e një ambienti të dhunshëm, ku edhe studimet tregojnë që janë personi në prani të dhunës së vazhdueshme familjare. Situata e dhunës familjare nuk është vetëm fizike, por kemi disa lloje dhunash, që është dhuna ekonomike, është dhuna verbale, janë fyerjet, ofendimet, degradimet e kësaj natyre në edukimin e fëmijëve që shkaktojnë komplekse serioze dhe vështirësi në qasjen e një personaliteti të shëndetshëm, i cili në dobësinë për t’u vetërealizuar në jetë, i shkarkon dhe i zhvendos problemet duke ushtruar dhunë. Pra, dhuna bëhet si një zgjidhje imediate e problemeve dhe jo forma alternative të shëndetshme, sic është racionalizimi, argumentimti, komunikimi, fjala etj. Sa më e varfër të jetë shoqëria, jo vetëm varfëri ekonomike, por edhe varfëri intelektuale, varfëri sociale, aq më shumë ne do kemi persona që i zgjidhin problemet në rrugë të shkurtra, jo vetëm dhunë në familje, por siç janë krijimi i sigurimit të një jetese komode, ose të vetrealizimit në rrugë të shkurtra, siç janë krime nëpërmjet vjedhjeve, krime nëpërmjet akteve delikuente etj.
Kur ti shikon një bashkëshort, i cili ushtron dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes, apo ish-bashkëshortes, kur nuk pranon realitetin e disfatës, të humbjes, këtu kemi të bëjmë edhe me prirjet kulturore të realitetit social, ose të realitetit shqiptar. Kultura që kanë të indoktrinuara mekanizma patriarkalë ku barazia gjinore nuk zë vend shëndetshëm, ku kemi të bëjmë me një mbivendosje të gjesteve arkaike. Pra ne vazhdojmë akoma të ushtrojmë mendimin se gruaja është më e dobët se burri, se ajo duhet t’i nënshtrohet rregullave të burrit, madje edhe zgjedhjet që ajo bën nuk meritojnë të kenë jetëgjatësi. Pra, një grua që zgjedh të divorcohet, që zgjedh të jetojë më vete, që është një nënë e mirë, që përkushtohet, që është e zonja në fund të fundit, është një grua që befason këtë burrë që ka ushtruar dhunë dhe çdo burrë tjetër që mendon njësoj si ai. Dhe kjo krijon një frustrim shumë të madh në komplekset e individit, pra tashmë një individ që është i kompleksuar, tashmë individ që është i mbushur me këto indoktrinime patriarkale, frustrohet akoma më tepër kur shikon një grua kaq independence që ia del, dhe që nuk është ai që ka dominuar në zgjedhjen e tij. Unë mbaj mend në eksperiencën time disavjeçare në Gjykatën e Tiranës ku merresha me rastet e divorceve, mbaj mend që burri dhe gruaja që vinin në gjykatë për t’u divorcuar, kalonin në një lloj marrëveshje që të ishte pikërisht burri që kishte kërkuar divorcin, edhe pse realisht ishte gruaja ajo që e kishte kërkuar divorcin.
Në fund, marrëveshja që arrihej me konsensus nga të dyja palët, ishte që të paktën të ishte burri që kërkonte divorcin dhe jo gruaja. Ishte si një lloj turpi familjar që vjen gruaja e ndan burrin. Nuk mundet tani ajo ta ndajë, sepse si do paraqitet burri përpara fisit, përpara familjes, përpara shoqërisë. Është burri që e vendos kur do bashkohen dhe kur do ndahen. Është burri që e vendos kur do kenë fëmijë dhe kur s’do kenë fëmijë, është burri që e vendos nëse ti je e aftë apo e paaftë, është burri që e vendos nëse ti do kesh djalë apo gocë. Pra, është burri që e vendo, por në fund të ditës është gruaja që e ka fajin nëse fëmija është vajzë dhe jo djalë. Nëse diçka e keqe ndodh, faji i takon gruas, dhe nëse diçka fortësisht e mirë ndodh, është diçka që i takon burrit. Pra çdo gjë me forcë dhe me një lloj burrërie do thosha prej burracaku. Për mua kemi të bëjmë me një shoqëri të mbërthyer në këtë lloj mentaliteti, ku gruaja shihet si mjet për të arritur qëllimet e burrit dhe jo si individ i cili ka të drejtat e tij për të qenë i lirë dhe të drejtat për të qenë bashkudhëtare me bashkëshortin.
Këto janë arsyet më predominuese që janë të keqpërdorura nga shoqëria jonë dhe që përkthehet në dhunë.
Pa diskutim që shoqëria jonë, u bë mbi dy dekada, që po përjeton depresionin social, sepse ne po përjetojmë tranzicion pas tranzicioni, por pa ndërmjetësime rehabilitimi. Ne kemi të mitur delinkuentë, familje të divorcuara, familje të dhunuara, kemi pasur tranzicione politike shumë të forta, kemi hasur shumë vështirësi për sa i përket procesit të emigrimit dhe migrimit dhe ne nuk kemi pasur asnjë proces rehabilitimi të mirëfilltë nga të gjitha këto ndryshime që shoqëria jonë ka pësuar. Ne vijmë nga një shoqëri post komuniste dhe shoqëria jonë nuk ka përjetuar asnjë fragment rehabilitimi. Kjo do të thotë që shteti shqiptar nuk ka investuar në një shërbim social të mirëfilltë. Po prodhohen pafund psikologë çdo vit dhe nuk ka një drejtim të mirëfilltë ku të ngrihen institucione, shërbime psikologjike për të mitur, për fëmijë, për adultë, për gra, për vajza të reja të dhunuara, për të gjitha kategoritë. Nëse një shtet social ka shërbime të mirëfillta profesionale, me standardet e duhura që i ka gjithë bota, do të mund të kapte këto problematike dhe t’i drejtonte në një kanal deri në rehabilitimin e tyre.
Një shtet social duhet të japi ndihmën e duhur ekonomike, duhet të japi mbështetjen psiko-sociale, pse jo edhe mbështetjen për rehabilitimin e mëvonshëm të gruas, apo të fëmijëve të cilët sot i ke rrugëve.
Mos të harrojmë që një fëmijë i shëndetshëm mund të prodhojë një fëmijë të shëndetshëm, një fëmijë i dhunuar dhe i abuzuar, mendo se çfarë do të bëhet kur të rritet.
-Duke marrë parasysh rastin e gjyqtares së ndjerë, Fildez Hafizi, kemi vënë re një rritje të denoncimeve nga ana e femrave të dhunuara. Përse kanë frikë gratë shqiptare që të denoncojnë? A mund të themi se pas vrasjes së Hafizit, gratë e dhunuara reaguan nga frika se mos nesër mund të jenë viktima e radhës?
Kostoja ishte shumë e lartë që femrat të reagonin. Që të vritet një njeri dhe më pas të reagojnë pjesa tjetër e femrave, kostoja është shumë e madhe. Megjithatë jam e bindur që edhe familjarët e kësaj nëne duhet të jenë krenarë që ajo la një mesazh shumë të fortë: se si një nënë mund t’ia dalë edhe pa bashkëshortin e saj, mund t’ia dalë shumë mirë e vetme. Paga për të rritur një fëmijë larg një njeriu të dhunshëm ishte shumë e lartë, shumë shumë e lartë. Gratë shqiptare kanë frikë për të denoncuar sepse kanë frikë mos u marrin jetën de kjo është shumë e thjeshtë. Çdo grua e dhunuar nuk largohet menjëherë nga strofulla e saj. Gratë kanë frikë mos dhunohen akoma më tepër, pra kanë frikë mos u merret jeta po të denoncojnë; gratë kanë frikë se mbeten pa shtëpi, pa strehëz dhe pa fëmijët e tyre, kanë frikë se nuk kanë ku t’i çojnë fëmijët e tyre.
Nga eksperienca ime, gratë kishin frikë të ktheheshin te familja biologjike, e cila shpesh është refuzuese dhe të thotë “kthehu te burri yt”. Dhe kjo është një pamundësi e femrës për të ecur përpara. Gjykata është e vetmja që reagon me urdhër mbrojtje, por sot as urdhri i mbrojtjes nuk po funksionon. Pra, përveç reagimit me urdhër mbrojtje, pjesa tjetër e reagimit të shtetit është shumë e avashtë dhe mbi të gjitha nuk ka një infrastrukturë evidente që ia tregon një gruaje që ti kur dhunohesh do kontaktosh këtë institucion. Ne si shtet duhet të jemi shumë fort denoncues dhe t’i japim qartësisht rrugën se ku duhet të drejtohen.
Pra shteti duhet në radhë të parë të ketë një plan strategji për gratë e dhunuara dhe për dhunën në përgjithësi.
-A kanë besim femrat shqiptare që nesër pasnesër kur të denoncojnë dhunën janë vërtet të mbrojtura, apo sërish do bien pre e dhunuesit pavarësisht urdhrit të mbrojtjes?
-Unë mendoj që sot policia nuk është ajo e 10 apo 20 viteve më para. Unë e shikoj që reagimi i tyre është më i ashpër, më i shpejtë, më i drejtpërdrejt. Por ajo që ndodh është që në të shumtën e rasteve, janë vet gratë që tërheqin denoncimin nga frika. Pra, janë kërcënuar që të tërheqin denoncimet. Policia vjen, reagon dhe më pas gratë e tërheqin denoncimin për ta futur në burg. Ndërkohë nëse shteti do të kishte disa rregulla strikte, ku pas një denoncimi fillestar, babi nuk lejohej të shikojë fëmijët…
-Pra ju mendoni se forcimi i ligjeve do e ulte numrin e rasteve të dhunës në familje…
Zbatimi! Ne kemi ligje mjaft mirë, duhet vetëm që të keni zbatueshmëri. Të paktën për ato që ekzistojnë, zbatueshmëria e ligjit është gjëja numër 1. Ne nuk kemi ndëshkueshmëri të mirëfilltë dhe zbatim të ligjit. Kriminelë të ndryshëm lirohen për një kohë shumë të shkurtër dhe pastaj sapo dalin kryejnë një vrasje. Shteti shqiptar mendoj se reagon vetëm pasi akte të tilla makabre ndodhin. Dhe në vende të tjera ka reagime të kësaj natyre, por jo për gjëra që janë kaq evidente.
-Çfarë mund të bëjmë ne si shoqëri për ta parandaluar dhunën në familje?
-Ne si shoqëri duhet të jemi konfidente në emancipimin tonë, të duam shuam jetën jo vetëm tonën por edhe të atyre që kemi në krah dhe të promovojmë guximin për të denoncuar çdo lloj akti dhune. Unë nuk dua që shoqëria jonë të jetë një shoqëri policore, dua që shoqëria jonë të jetë një shoqëri e së drejtës. Një shoqëri që denoncon krimin, denoncon dhunën në familje, denoncon kur shikon një akt të padrejtë. Dua një shoqëri që të mos jetë indiferente, të mos jetë e përgjumur. Të mos e pranojmë dhunën si një akt të mirëqenë, por të reagojmë.
Intervistoi për Tirana Today, Safete Neza