Kanë kaluar rreth dy vite kur arbitrat në kampionatin spanjoll kanë akorduar një penallti kundër Barcelonës, plot 74 ndeshje. Në të njëjtën periudhë kohore, katalanasit kanë parë t’iu akordohen në favor plot 32 penallti.
Në ndeshjen e zhvilluar në “Camp Nou” të dielën në darkë, ku përballë Alaves, Barcelona fiton me përmbysje, arbitri Iglesias Villanueva i mohoi një penallti të pastër miqve. Ai që u kontestua më së shumti nga Alaves ishte kur topi preku dorën e Samuel Umtitit në minutën e 89 të ndeshjes.
Asnjë nga 219 penalltitë e akorduara së fundi në kampionatin elitar spanjoll nuk ka qenë kundër Barcelonës. E fundit që është shënuar kundër katalanasve ka qenë ajo e shënuar nga një lojtar që sot luan me Alavesin, Guidetti, por që kur shënoi mbronte ngjyrat e Celta Vigos, në një ndeshje që përfundoi 6-1 për Barcelonën.