Nga Kreshnik KUÇAJ/ Bixhozi është konsideruar ndër vite një plagë sociale për shoqërinë shqiptare. Pas shpalljes së Pavarësisë në 1912, rezulton se kafenetë kanë qenë kryesisht vendet ku zhvillohej më shumë kjo veprimtari por nuk kanë munguar rastet kur personazhe të pushtetshëm të asaj periudhe i kishin kthyer shtëpitë në “kazino” shumë të frekuentuara.
Kjo problematikë është evidentuar shpesh në shtypin e kohës, e madje Lumo Skëndo në shkrimet e tij i konsideronte kafenetë si “fole demoralizimi”.
E në këtë kontekst, nuk kanë munguar as përpjekjet e vazhdueshme për frenimin e këtij fenomeni në Shqipëri. Përpjekjet e atyre viteve kanë qenë në dy drejtime; nga njëra anë ka pasur tentativa për ndalimin e bixhozit e nga ana tjetër për vendosjen e tij nën kontroll.
Ndalimi i parë i bixhozit në 1914
Ndër përpjekjet e para për të ndaluar bixhozin në Shqipëri është ajo e vitit 1914 nga forcat ushtarake holandeze që ishin në Shqipëri për ruajtjen e rendit publik dhe riorganizimin e xhandarmërisë shqiptare, në kuadër të marrëveshjes ndërkombëtare që solli princ Vidin në drejtimin e vendit. Referuar raportimeve gazetareske të kohës, bixhozi në këtë periudhë ishte kthyer në një problematikë serioze dhe nëpër kafene luaj aq shumë bixhoz sa gdhihej gjithë natën.
Gjatë kësaj periudhe, rezulton se ligjërisht u ndalua plotësisht bixhozi në vendet publike e për këtë ndëshkimi ishte burgosja. Megjithëse urdhëresa e gjeneralit holandez De Veer që drejtonte misionet ushtarake në terren, parashikonte ndalimin e bixhozit në vende publike e kafene, sërish nuk mungojnë raportime gazetareske për shkeljen e këij urdhëri.
E një rast i tillë raportohet në Vlorë me 31 janar të vitit 1914 kur banakieri i një lokali të njohur në qytetin e Vlorës u kapën sëbashku me 4 persona të tjerë duke luajtur bixhoz. Personat dolën para gjyqit ushtarak dhe u dënuan me një javë burg.
Tentativa për ndalim në vitin 1927!
Pavarësisht përpjekjeve të mëparshme e ndalimit me ligj, bixhozi vijoi të ushtrohej në vitet e mëvonshme por më shumë sesa për ta ndalur atë, ajo që u diskutua në vitet e mëvonshme do të ishte më shumë vendosja nën kontroll e shitblerjes së letrave të bixhozit.
Në vitin 1922 do të miratohej vendosja e monopolit shtetëror për letrat e shkrepëset, duke përfshirë në këtë ligj edhe letrat e lojës apo të bixhozit.
Me kalimin e viteve bixhozi dhe tendenca për të luajtur lojëra të ndryshme nëpër kafene e ambiente të tjera publike do të kthehej sërish në një problematikë serioze, aq sa në parlament do të shkonte një propozim konkret për ndalimin e të gjitha lojërave, të paktën në orarin e punës.
Propozues i nismës do të ishte deputeti Hiqmet Delvina, i njohur ndryshe edhe me pseudonimin “Bilbili i Zogut”.
Projektligji parashikonte se dy ndëshkime; burgun dhe gjobën.
“Luejtja e bixhozit për zbavitje ndër kafe ose në çdo vend publik ash e ndalueme prej lindje të diellit deri në ora 17 përveç ditëve të pushimit zyrtar. Bixhozi për zbavitje konsiderohet ç’do lojë si rom, taull, domino, kolçine, triomfo, konsollit, preff, skambil e të tjera qi nuk përmenden në këtë ligjë.
Kundravajtësit e patronët e lokaleve ashtu edhe ata qi ndihmojnë tue dhanun çë farë do lloje mjetesh loje dënohen me burgim prej 24 orëve deri në nji muej ose me 100 deri në 1000 franga ari gjobë. Në rast përsëritje dënohen me të dyja dënimet bashkë” shkruhej në projektligjin e depozituar në parlament.
Qendrimet e mbajtura në seancë plenare në vitin 1927
Propozuesi i nismës, Hiqmet Delvina, që më vonë do të bëhej ministër Drejtësie, argumenton nevojën e një nisme të tillë si një nevojë emergjente për t’i dhënë zgjidhje problematikës së braktisjes së vendit të punës jo vetëm nga popullata por edhe nga administrata publike.
“Projekti mund t’ajurnohet, po fjala e jeme jo. Nji fjalë shqiptare thotë: “atje ku dhëmb dhambi, atje shkon gjuha” dhe edhe ata qi thonë se nuk e pranojnë, duket se i dhëmb dhambi.
Unë këtë e baj në interesin e popullit, se due moralin t’ia naltësoj dhe atë kohë qi të shkojë tue lujtë t’a shkojë në punimin n’arë, në tregti e bujqësi. Kjo ashti qi më shtyen ta bëjë një proponim të tillë dhe në qoftë se kodi penal e përfshijnë këtë faj atëhere fajin nuk e kanë ligjet po ata qi nuk e zbatojnë.
Në të gjithë Shqipnin edhe në kryeqytet, të gjithë ditën, mblidhen ndër vende antihygjenike njerëz të çdo klasi e tjetër s’bajnë veç të losin gjithfarë lojnash. Bulku në vend qi të livrojnë arën shkon e lot rem dhe në çdo katund, në çdo vend këjo lojë asht ba nji smundje ma e keqe se malaria e sifilisi.
Si e dini populli duhet të mësohet me punue se nji popull që nuk punon ai popull nuk ka nji t’erdhme të mirë e se pa punë nji shtet nuk rron dot. Këto janë arsyet qi me shtrënguen të ju parashtroj këtë projektligj dhe në mos e pranoshi unë për vehten t’ime lajë duart se detyrën e bana” u shpreh Hiqmet Delvina ndërsa diskutohej nisma e propozuar prej tij.
Pas dhënies së argumentit të parë nga propozuesi, nuk do të mungonin qendrimet alternative nga deputetët e tjerë, e madje edhe nga vetë Ministri i Punëve të Brendshme i asaj kohe. Shqetësimi që shprehej nga ana e deputetëve është se mos në Shqipëri mund të ndodhë ajo që po ndodhte me ndalimin e alkoolit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deputeti Javer Hurshidi i Gjirokastrës e mbështet propozimin edhe pse evidenton se ai përmban disa të meta që mund të rregullohen ndërsa nisma do të shyqrtohet konkretisht në komisionet parlamentare. Ndërsa Bahri Begolli, deputeti i Kosovës evidenton faktin se nevojitet që të përcaktohet një orar se kur mund të lejohet të luhet, të paktën lojëra të zakonshme.
Vijimi i debatit parlamentar:
H.Delvina: “Zotnija e tij ka shëtitë Europën e ka qnë edhe në Vjenë dhe duhet t’a dije se atje ndër shumë kafehane, ka nji orë të caktueme për prehje. N’Amerikë nuk tajapin nji karrige kuer asht kohë pune. Kuer popujt e mdhaj e matë civilizuem e bajnë këtë, pse mos t’a bajmë edhe neve…”
A.Dibra, Ministër i Punëve të Brendshme: “Bizhozi asht i ndaluem me ligje. Me këtë projekt edhe lojnat qi janë për zbatitje ndalohen, do me thane se liria personale kufizohet dhe si e dini, nji gja sa ma tepër kufizohet aq ma tepër abuzohet.
Në asht se pranohet lutem qi të merret parasysh qi lojnat në kafehane do të shkojnë nëpër shpija dhe në qoftë se ndër kafehane luhet me nji kafe, në shtëpija do të luhet me të holla. Prandaj ne asht se do të pranohet i lutem komisionit të marrin para syshë këtë dhe ndalimin t’a bajnë në nji gradë ma të lehtë”
H.Delvina: “Zoti ministër i Punëve të Mrenshme thotë se kufizohet lirija personale. Këtë nuk e prisnje nga Zotnija e tij si ministër, si ministri i moralit e i edukationit. Këtu lirija personale nuk kufizohet e deri sa kjo liri të kufizohet në dam të vehtes së tij mund të këtë të drejtë po sot në Shtetet e civilizueme asht ndalue edhe suicidio!
Këtu ska të bajë me kufizimin e liris, se ata qi losin tër ditën bixhoz janë kusar e në vend qi të punojnë vjedhin e grabisin të drejtën e shtetit e të fëmisë. Ndër ata shtete si Amerika ku lirija personale asht ma e madhe se ndër ne, kanë ndalue alkoholin”
Kolë Mjeda: “Jam pikërisht dakord me zotin Hiqmet Delvinën dhe e pranoj me disa kondita, se drue se po të ndalojmë lojnat nëpër kafenet mos të na bahen odat t’ona ku punojmë e salla e deputetvet, dhoma lojnash e bixhozit.
N’Amerikë pija asht e ndalueme po duhet me dijtë se atje kushton me miliona dhe me gjithë se asht e ndalueme prap se prap shitet kontrabandë. Asht e vërtetë se lojnat binë dame të mdhaja në popull dhe kan ndodhë raste qi shumë kanë lanë shpinë pa bukë me luejt po unë kisha me kënë i mendimit qi lojnave me i vuem taksa të randa dhe kështu vetvetiu hiqen.
Në asht se votohet me konditë qi lojnat ndalohen krejtësisht e nuk ndodhë nesër të mblidhen deputet e funkcionar nëpër shpija me luejtë letrash, atëhere e pranoi përndryshe nuk jam i mendimit t’i presim bukën atyne qi mbajnë kafe e rrojnë me këtë mjeshtri.
Kam kenë n’Europë dhe e dijë edhe unë se n;Amerikë asht ndaluem pija po atje veshen njerzit me lastiku plot me raki dhe japing e shesin raki sikuer i jepet fëmivet cicë. Pra jam i mendimit t’ajurnohet”
F.Rusi: “S’kam aspak dyshim qi kolegu këtë proponim e ban me qëllim të mirë qi në popull të shtohet zelli i punës po duhet t’a dijë se ky projekt nuk I përmbushë dëshirat e tija se nji popull nuk punon tue i ndaluem zbavitjet e tija po kuer ka dëshirë të punojë.
Po të ndalohen lojnat nëpër kafe, ai qi lot do të mbyllet me shokët e tij për shpija e do të jetë edhe ma keq. Prandej i lutem ta tërheqin këtë proponim edhe në qoftë se nuk refuzohet prej Dhomës të shkojë në komision e të mbesin atj. Sikuer Zotnija e tij të kishte paraqit nji proponim për ndalimin e alkoholit atë do t’a pranoshe me gëzim po ky projekt nuk e përmbushë qëllimin”
Pas diskutimeve të mësipërme, seanca e nëntorit të vitit 1927 votoi me shumicë votash që projektligji t’i kalonte për diskutim në komisionet kuvendore e në fakt duket se pas këtij hapi nuk ka avancim të mëtejshëm të projektit.
Hapat që ndërmerren janë kryesisht për kufizime, si në rastin e ligjit të vitit 1931 që ndalonte kumarin dhe pijet alkoolike për ata që ishin nën moshën 18 vjeç.
Tentativa për monopolizimin e bixhozit në vitin 1933
Në një prej seancave të mbajtura në nëntor të 1933 do të diskutohej një projektmarrëveshje që ishte nënshkruar mes ministrit të Financave dhe një tregtari me banim në Durrës për ngritjen e një hotel të rangut të parë me kapacitet 100 dhoma fjetje me të gjithë kushtet e nevojshme, brenda të cilit të kishte një kazino të madhe, salla dëfrimi për ballo, një bar, një teatër dhe kinema.
Projekt koncesioni ishte lidhur mes zotit Kristaq Zagoridhi (tregtar) dhe ministrit të Financave Abdurrahman Dibra. Projekti ishte ambicioz e parashikonte ndërtimin e një resorti të ngjashëm me ato në MonteCarlo apo SanRemo.
“Hoteli në fjalë do të ketë një gazino madhështore me salla dëfrimi për ballo, bar, theatro, cinema dhe për lloje të ndryshme siç janë në Sanremo, Montekarlo ku ushtrohen lojet roulette, trente, qarante, bacara, chemindefer, bulette e të tjera loje hazardi të kësaj dore. Hoteli do të zbukurohet rreth e përqark me lulishte e pemishte që do të kenë vende të posaçme për tenis e lojna të tjera të jashtme dhe për brinjë detit një banjo moderne me organizata të shëtitjeve me barka dhe të sporteve të tjera që mund të tërheqin të huajt e ta bëjnë plazhin e Durrësit një vend dëfrimi” shkruhej në projektkoncesionin e nënshkruar në tetor të vitit 1933 e që një muaj më vonë po diskutohej në sallën e parlamentit në parim.
Marrëveshja parashikonte se qeveria shqiptare merrte përsipër që t’i akordonte koncesionarit të drejtë ekskluzive të ushtrimit të lojërave të fatit për një afat 33 vjeçar e të mos jepte asnjë koncesion e leje të tjera për këtë qëllim.
“Është e nënkuptuar se e drejta ekskluzive i përket vetëm ushtrimit të lojnave të hazardit të ndryshëm” shkruhej në projekt-koncesionin që diskutohej në parlament.
Marrëveshja ishte e detajuar e parashikonte ndër të tjera edhe stafin që do të punësohej. Kamarierët e krupierët e kazinosë do të merreshin të huaj. Mbi të ardhrat bruto të përvitshme të kazinosë koncesionari detyrohej të pagunte 10 % të të ardhurave.
Shërbimi i brendshëm në kazino dhe tarifa e lojërave do të caktohej me anë të një rregulloreje të veçantë e cila do të kishte dhe pëlqimin e qeverisë. Projekt-koncesioni do të pranohej në parim në seancë plenare e do t’i referohej komisioneve parlamentare por nuk do të avancohej më shumë në këtë drejtim.
Ndalimi i vitit 1937 dhe moszbatimi i tij
Në vitin 1937, kryeministria do të vlerësonte nismën e Ministrisë së Brendshme për ndalimin e plotë të bixhozit për popullatën dhe nëpunësit. E në këto kushte, kryeministria shqiptare do t’u drejtonte një qarkore të gjitha ministrive dhe drejtorive të rëndësishme, deri edhe drejtorisë së Reformës Agrare,me të cilën kërkonte që t’i jepej urdhër i prerë të gjithë nëpunësve që kishin në varësi që të mos luanin më bixhoz pasi po u kapën duke luajtur do të hetoheshin, nxirreshin para gjyqit e ndëshkoheshin sikurse parashikonte ligji.
Kjo masë edhe pse do të vlerësohej pozitivisht nga shtypi i kohës, do të konsiderohej si e pamjaftueshme.
Në numrin e prillit të vitit 1937, te “Përpjekja” e Branko Merxhanit shprehet shqetësimi se nisma e ministrisë së Brendshme për këtë qëllim “humbi nëpër shtylla kronikash të fletoreve”
“Ministria e Brendshme ka ca kohë që merret edhe me probleme shoqërore të vendit dhe bile me një mënyrë shumë të kujdesshme. Një nga këto probleme është edhe bixhozi për të cilin ministria nxorri një masë të rreptë ndalonjëse për të vënë re.
Por për fat të keq ky vendim i urtë nuk na bie shumë në sy aq sa duhej. Mbeti po thua i pavërejtur dhe humbi nëpër shtylla kronikash të fletoreve. Qarkorja përkatëse e ministris, në realitet prek një sëmundje shoqërore me rëndësi, sëmundje e cila në këto kohët e fundit kish filluar të çfaqte symptom të rrezikëshme. Dhë na rrëfen njëkohësisht edhe mënyrën e shërimit që gjeti qeveria për zhdukjen e kësaj plage.
Nuk e dimë në se diagnoza u bë mirë apo jo dhe në se therapia që u caktua është pikërisht ajo që meritohej. Mirëpo një gjë është pakundërshtuarshme: Interesimi i qeverisë për mbytjen e mikrobit të kumarit, mikrob i cili filloi të rritej dhe të fëlliq gjakun e shoqërisë s’onë.
Bixhozi katandisi të bëhet po thua i vetmi mjet dëfrimi. U fut gjer në klasat e shkollave. Një arsimtar na rrëfente një ditë me një dhëmbje të pikëlluarshme se si zuri dy nxënës të tij duke lozur bixhoz në bangot e fundit të klasës mu në orët e mësimit” shkruhet në artikullin e “Përpjekjes” së Merxhanit.
Më tej në artikull evidentohet se efekti i masave administrative është i vogël dhe se disiplinat negative nuk i shuajnë veset morale po vetëm i mbulojnë por nuk i zhdukin.
“Edhe ndalimi i bixhozit kudo nuk është një masë e arsyeshme. Në disa vende të caktuara dhe të kontrolluarë mirë bixhozi duhet të lihet i lirë, sidomos nëpër disa qendra publike. Ndalimi mund të sjellë mbylljen e këtyre qendrave, dobia e të cilave nuk është e vogël.por shërimi i plotë i kësaj sëmundje duhet gjetur nëpër fushat morale më të gjëra.
Të krijohen ideale, emocione, okupime që frymëzojnë shije të thellë si dhe shkaqe dëfrimesh dhe gëzimesh më të lartë. T’afrojmë burimeve të jetës së vërtetë njerëzore, që fitohet vetëm rreth tryezës së punës mendore dhe që frymëzohet nga pasione të kulluarë që krijon arti” përfundon artikulli.
Gjatë periudhës së pushtimit kundra bixhozit rezulton se nuk janë marrë masa ndëshkuese dhe se veprimtaria është ushtria lirisht, madje edhe në qendër të kryeqytetit, në ambient të hapur e publik sikurse tregohet në foton e mëposhtme të institutit LUCE të vitit 1943 të realizuar në qendër të Tiranës.
Gjatë regjimit komunist, bixhozi ishte i ndaluar rreptësisht por sërish nuk kanë munguar bastet ilegale apo lojëra të tjera të cilat në rastet që janë evidentuar, kanë sjellë burgosje afatgjata me këtë akuzë. /scan-tv/