Një e mitur me shtetësi gjermane, e cila ishte larguar nga të afërmit ditën e shtunë, është rikthyer tek familja këtë të diel. Sipas Policisë së Pogradecit, 12-vjeçarja po intervistohet për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave. Sipas kallëzimit të njerkut shqiptar ditën e sotme, vajza 12-vjeçare e bashkëshortes së tij gjermane ishte larguar të shtunën rreth orës rreth 15:00, në lagjen nr 1 Pogradec, në zonën e plazhit publik, ku familja e tij po pushonte. Policia kërkoi ndihmë për gjetjen e të miturës, por fatmirësisht ajo është rikthyer pranë familjes një ditë më vonë, ndërkohë që autoritetet po përpiqen të sqarojë të gjithë situatën.
Humbet 12-vjeçarja gjermane në Pogradec, policia kërkon ndihmë
Kishte ardhur por pushime bashke me familjen në Pogradec, por 12-vjeçarja nga Gjermania prej dy ditësh rezulton e humbur. Në komisariatin e policisë së Pogradecit ka bërë denoncim 37-vjeçari me iniciale V.F. nga Pogradeci, i cili është me pushime në vendin tonë së bashku me bashkëshorten e tij gjermane Florentina Meyer. Ai denoncoi se vajza 12-vjeçare e gruas së tij është larguar dhe nuk po e gjejnë.
12-vjeçarja është e gjatë 155 cm, ka flokët ngjyrë të çelur dhe sytë bojëqielli. Ditën kur humbi, ajo ka qenë e veshur me një bluze ngjyrë gri, atlete ngjyrë të zeza, me mbishkrimin “Adidas”, si edhe një palë pantallona të shkurtra. Policia e Pogradecit kërkon ndihmën e qytetarëve që të japin informacion nëse kanë dijeni për vendndodhjen e vajzës.
Policia thekson se 12-vjeçarja komunikon vetëm në gjuhën gjermane dhe nuk zotëron asnjë gjuhë tjetër.
Komisariati i Policisë së Pogradecit ka vënë në dispozicion edhe numrat e telefonit 0694110226 dhe 0694110229.