Tirana Today shënon 1-vjetorin e krijimit të saj. Ky rrugëtim 1-vjeçar i kësaj medie të re që iu bashkëngjit tregut të mediave online prillin e vitit 2017 nuk ka qenë aspak i lehtë, por mjaft sfidues për drejtuesit, stafin e saj dhe për atë që e presin në vijim, pasi çdo ditë është një sfidë e re.
E lindur si një iniciativë e botuesit dhe administratorit të saj, Arbër Hajdari, Tirana Today ka lënë gjurmë në peizazhin e medias online, duke u përpjekur përgjatë këtij viti të shndërrohet në një multimedia të mirëfilltë.
E konceptuar si një media gjeneraliste, ku në fokus të saj qëndron trajtimi i fushave të ndryshme, duke nisur që nga aktualiteti politik, ekonomik, social shqiptar e deri tek çështje më me ndikim në botë, Tirana Today ka mundur të sjellë për lexuesit jo vetëm lajmet më të fundit por edhe këndvështrimin analitik të ngjarjeve të ditës.
Përveç kësaj panorame të trajtimit të ngjarjeve, në fokus kanë qenë edhe opinionet, analizat e analistëve të ndryshëm në vend dhe të atyre më të spikatur të mediave prestigjioze botërore.
Ky rrugëtim 1-vjeçar nuk është shumë, por nuk mund të quhet as edhe i paktë në aspektin kohor të zhvillimit të medias online, ku përballë luftës së egër për klikime, përballë një tregu kaq të deformuar të medias në Shqipëri, Tirana Today ka mundur të ruajë profesionalizmin, etikën dhe më shumti integritetin përballë lexuesve të saj.
Kur vjen fjala për këta të fundit, Tirana Today është përpjekur çdo ditë të jetë e paanshme, të ofrojë informacione të balancuara dhe larg ndikimit të çdolloj ngjyre të pushtetit, i cili siç dihet rëndom ka shtrirë prej kohësh tentakulat mbi median në Shqipëri.
Lajmi i fundit dhe investigimet
Përpos qasjes analitike ndaj ngjarjeve politike, ekonomike, sociale dhe sportive në vend dhe ngjarjeve botërore, Tirana Today e ka shndërruar në një sfidë më vete edhe lajmin e fundit. Dhe si e tillë, Tirana Today ishte e para që publikoi e para dhe ekskluziv lajmin se Ilir Meta po përgatitej të ishte presidenti i ri i vendit.
https://tiranatoday.com/lajmi-fundit-ilir-meta-po-mbledh-firmat-e-deputeteve-per-tu-bere-president-po-blen-edhe-deputete-te-ps-se/
Lajmi i fundit mbetet një sfidë për çdo media, veçanërisht atë online e cila kërkon të informojë sa më parë lexuesit, por po kaq e rëndësishme janë vëzhgimet, investigimet, siç kanë qenë një sërë syresh në Tirana Today, siç ishte mbi rastin e zgjedhjeve të vitit të kaluar, por edhe mbi mënyrën sesi bashkia e Tiranës i përdor fondet publike.
https://tiranatoday.com/korsite-e-bicikletavesi-veliaj-grabit-miliona-leke-nga-trafikndareset/
Emisioni Njerëz
Emisioni Njerëz është një nga rubrikat më domethënëse të Tirana Today, e cila ka sjellë përgjatë 1 viti kalendarik histori të ndryshme njerëzore; ato histori që nuk i shohim në mediat e mëdha, dhe që nxjerrin në pah Shqipërinë e heshtur, të kapur nga skamja, varfëria, apo sëmundjet e ndryshme. Përmes tyre, Tirana Today ka sjellë për shikuesit dhe lexuesit e saj, një Shqipëri tjetër përtej asaj të politikës dhe shfaqjeve bajate të ditës kryesisht në mediat e mëdha.
https://tiranatoday.com/tragjedia-e-15-marsit-brenda-dhimbjes-se-gerdecit/
https://tiranatoday.com/diktatura-e-bukes-se-gojes/
Efekti Video
Një nga elementët e portalit Tirana Today, mbetet edhe videoja e cila është një instrument i jashtëzakonshëm në multimedian e ditëve të sotme. Tirana Today ka transmetuar përmes rrjetit të saj në Facebook videot nga më të ndryshmet duke nisur që nga ato familjare, humoristike, motivuese dhe mbi ngjarjet e ditës. Një nga këto video ka arritur një shikueshmëri të jashtëzakonshme prej 14 milion shikimesh. Tirana Today është rritur përgjatë këtij 1-vjeçari, kur numërohen rreth 213 mijë ndjekës në Facebook, dhe 125 mijë prej tyre e pëlqejnë atë. Nuk është pak për një 1-vjeçar por as shumë për të ardhmen sfiduese të medias online.
Gjithashtu, një nga videot e cila bëri xhiron e rrjetit dhe të mediave kryesore ishte edhe shpërthimi i një eksplozivi në një servis celularësh në afërsi të ambasadës amerikane, ku mbeti i plagosur pronari i këtij servisi, i cili rezultoi më pas edhe si përgatitës i minave me telekomandë. Gazetari i Tirana Today, e filmoi në kohë rekord atë çka la pas shpërthimi duke bërë të mundur që në ueb të publikohej po me të njëjtën shpejtësi.
Ajo që vlen të konstatohet, është se të gjitha ngjarjet e ndodhura më lart dhe të transmetuara nga Tirana Today përbëjnë një dëshmi të punës sonë, por janë edhe një tregues se gazetaria online, dhe shndërrimi i portalit në multimedia, kërkojnë shtigje të reja për të ndjekur, ku sfidat janë të përditshme.
Sfidat që na presin
Të bësh një bilanc mbi rrugëtimin 1-vjeçar të Tirana Today është një detyrë e vështirë kur vlerësimet mbi arritjet dhe mosarritjet i japin lexuesit. Në fakt në ditët e sotme përballë medias online janë lexuesit ata që bëjnë ligjin dhe që duhen informuar gjithmonë në mënyrë të paanshme me artikuj sa më cilësorë.
Dhe duke ndjekur këtë frymë, Tirana Today është duke punuar për të ardhur së shpejti për lexuesit dhe shikuesit e saj me një dizajn të ri të faqes në ueb (www.tiranatoday.com) dhe aplikacionit të saj në Android dhe Iphone, për t’iu përgjigjur sfidave me të cilat përballet sot media online.
Faqja e re në ueb do të jetë e konceptuar në mënyrë të atillë që lexuesit të gjejnë jo vetëm lajmin bazik, lajmin e fundit dhe atë çka ndodh përgjatë ditës, por edhe investigime, vëzhgime, histori njerëzore, intervista ekskluzive etj.
Ky konceptim i ri në formë dhe në përmbajtje kërkon të sjellë një medium krejtësisht të veçantë atë që nuk do ta gjeni tek mediat e tjera online, duke iu përmbajtur gjithnjë frymës dhe sloganit që në ditën kur lindi si media; Lexo, bëj diferencën!