Kombëtarja shqiptare përpos ndeshjeve miqësore që do të zhvillojë në Zvicër gjatë muajit qershor, ku përballë do të ketë Ukrainën dhe Kosovën, ka siguruar edhe dy ndeshje gjatë Ligës së Kombeve. Në nëntor do të përballen me Uellsin e Gareth Bale, ndërsa në 10 tetor konfirmohet Jordania, këto dy miqësore do të zhvillohen për të plotësuar numrin e ndeshjeve që duhet të zhvillohen në atë periudhë. pasi në një grup me 3 skuadra do të zhvillohen 4 ndeshje zyrtare dhe dy do të jenë këto miqësore.
Sot bëhet e ditur se miqësorja Shqipëri-Jordani luhet më 10 tetor në “Elbasan Arena”. Vlen të theksohet se ky takim do të luhet vetëm 4 ditë përpara përballjes me Izraelin, të vlefshme për Ligën e Kombeve.
“Kjo miqësore, sikundër edhe ajo me Uellsin, që do zhvillohet më 20 nëntor, do të luhet në periudhën kur zhvillohen takimet e grupeve për Ligën e Kombeve, duke plotësuar kështu edhe kuadrin e gjashtë ndeshjeve, me katër sfida zyrtare në grupin me tre përfaqësuese të Ligës së Kombeve, si dhe dy ballafaqimet miqësore”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FSHF-së.