Rëndohet bilanci i viktimave si pasojë e zjarreve që përfshinë Kaliforninë.
Pas 6 ditëve, rezultojnë se 40 persona kanë humbur jetën nga zjarret masive ndërsa ky numër mund të rritet, teksa qindra persona rezultojnë ende të zhdukur.
Zjarret kanë shkatërruar mijëra shtëpi, duke lënë shumë banorë në qiell të hapur, ndërsa guvernatori i Kalifornisë e quajti këtë ngjarje si “një nga tragjeditë më të rënda” me të cilën është përballur shteti.
“Shkatërrimi nuk po njeh kufij, është thjesht i pabesueshëm. Kemi përpara një horror, që nuk mund ta kishte imagjinuar askush”, tha guvernatori Jerry Brown.
Më shumë se 10 mijë zjarrfikës janë duke luftuar me flakët në 16 vatra zjarri, ndërsa erërat prej rreth 70 km në orë i kanë zhvendosur ato në qyteza të tjera, duke detyruar të tjerë banorë që të evakuohen.
Santa Rosa është një nga qytetet më të dëmtuara, ku ajnë evakuar rreth 3000 persona vetëm të shtunën.
Të premten, zjarrfikësit arritën disa përparime duke pastruar bimësitë e thata dhe disa karburante përreth zonave të populluara, në pjesën jugore të vatrave të zjarrit. Megjithatë, rikthimi i erërave, i kombinuar edhe me temperaturat e larta dhe ajrin pa lagështi, i ka përhapur edhe më tej zjarret.