Zhvendosja e Teatrit Kombëtar në një godinë tjetër, tek ajo që njihet si “Turbina” është kundërshtuar fort nga aktorët gjatë mbledhjes së Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit.
Teksa ka folur para kolegëve, aktori Robert Ndrenika ka rrëfyer se si hapësirat e Teatrit Kombëtar janë ngushtuar nga kullat e ngritura dhe bizneset përreth. Sipas Ndrenikës, zhvendosja e Teatrit Kombëtar krijon shtigje të reja për ngritjen e kullave në qendër të Tiranës, ndërsa teatri do të shërbejë thjesht si aneks i ngrehinave të reja.
“Para shumë viteve të kësaj demokracie, Teatri është vjedhur pjesërisht. Ajo Torre Drini, që është ngritur atje ka ardhur deri në rrëzë të skenës, siç e dini. Ajo duhet të mbante distancë 10 metra, a 7 metra a 12 metra. Pra kur të ndërtohet i ashtuquajturi Teatër, ne duhet të tërhiqemi sepse do t’i lëmë vend asaj, një vjedhje kjo. Ose dyqanet që janë mbrapa ato “Gjergji” kanë qenë pronë e teatrit. Gjatë këtyre viteve ata janë privatizuar.Dhe tani kërkohet që këta privatë të bëjnë një kullë, apo kulla dhe në këto kulla pastaj, aneks të jetë edhe Teatri. Pra vazhdon një vjedhje sheshit, e hapur”-tha ai.
Plani për të cili ka folur aktori, ka një ngjashmëri me atë që u zbatua me stadiumin Qemal Stafa. Ku stadiumi u shemb, për të sjellë më pas edhe një kullë tjetër përkrah tij. Sipas kësaj logjike, i bie se afër Teatrit Kombëtar të kemi dhe një ngrehinë të re.
Robert Ndrenika deklaroi se nuk ishte tërhequr nga deklarata e tij, se do të shtrihej në teatër, nëse godina do të prishej, megjithëse Mirela Kumbaro e kishte ironizuar. Në përgjigje ai e quajti Mirela Kumbaron “ministresha” dhe e këshilloi ta përdorë godinën e Turbinës për takimet e fushatës elektorale, sepse për Teatër Kombëtar ajo ishte qesharake.