Një rast i murtajës së bagëtive është zbuluar në qarkun e Shkodrës, duke rikthyer shqetësimin për përhapjen e kësaj sëmundjeje pas rasteve të raportuara një vit më parë.
Sipas informacioneve paraprake, rasti është konstatuar në zonën e Malit të Gjymtit, në njësinë administrative Dajç, ku në një fermë janë groposur 20 dele të infektuara. Autoritetet veterinare pritet të ndërhyjnë edhe për asgjësimin e krerëve të tjerë të bagëtive, me qëllim frenimin e përhapjes së sëmundjes.
Për shkak të situatës, zona është vendosur në karantinë në një perimetër prej 3 deri në 10 kilometrash, ndërsa institucionet përgjegjëse kanë shtuar kontrollet në fermat përreth.
Burime lokale bëjnë me dije se rasti është identifikuar tre ditë më parë dhe ekzistojnë dyshime se infeksioni mund të jetë përhapur edhe në ferma të tjera në këtë njësi administrative.
Autoritetet sqarojnë se murtaja e bagëtive nuk transmetohet nga kafshët te njerëzit, por mbetet një rrezik serioz për sektorin blegtoral për shkak të përhapjes së shpejtë mes tufave.
Kujtojmë se edhe gjatë vitit të kaluar në qarkun e Shkodrës u raportuan tre raste të murtajës së bagëtive, çka kishte sjellë masa të ngjashme kufizuese dhe ndërhyrje veterinare në zonat e prekura.















