Policia ka përditësuar të dhënat lidhur me grabitjen që u shënua një ditë më parë në Durrës. Rasti në fjalë u shënua në Shkozet, ku grabitësit, ende të paidentifikuar, me maska në kokë, kanë hyrë në shtëpinë e një biznesmeni dhe kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash.
Grabitja ka ndodhur në banesën e biznesmenit Elton Kelmendi, i cili merret me transport ndërkombëtar.
Skema
Nën kërcënimin e armëve, grabitësit kanë lidhur familjarët brenda në shtëpi, dhe prej aty kanë marrë sasinë e eurove dhe janë larguar. Në ikje e sipër, grabitësit kanë marrë edhe djalin e familjes, por e kanë lënë të lirë disa kilometra më tutje.
“Më datë 12. 01. 2019, në lagjen Nr. 14 Shkozet, Durrës, 3 persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë hyrë dhe kanë vjedhur banesën e shtetasit E.K., ku kanë marrë 10, 800 €”, njofton policia.
Grabitësit të maskuar
Kanë qenë tre persona të armatosur, që i kanë zënë prit te dera e shtëpisë biznesmenit të fushës së transportit ndërkombëtar. Fillimisht kanë lidhur të zotin e shtëpisë dhe bashkëshorten, ndërsa njëri prej tre grabitësve, ka mbajtur nën presion djalin.
Ndërkohë, mësohet se biznesmeni kishte dalë shëtitje me djalin për një kafe, dhe kur është kthyer ka ndodhur ngjarja.
Autorët ende të paidentifikuar
Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjithë zonën, por ende nuk janë identifikuar autorët. Edhe pse të terrorizuar, biznesmeni dhe familjarët e tij janë shoqëruar në polici, për të dhënë dëshmi rreth kësaj ngjarje.