Presidenti i Serbisë ka folur në një emision në televizionin “TV Pink”për përplasjen mes Serbisë dhe Kosovës.
Ai është ndalur tek deklarata e presidentit Trump se është koha për një marrëveshje historike mes dy vendeve. Vuçiç tha se nuk e ka kuptuar mirë porosinë që i dha shefi i shtëpisë së bardhë për frazën “jemi afër përfundimit të dialogut”.
Po ashtu, presidenti serb u ndal tek një kërkesë, teksa tha se dëshiron që vitin tjetër të rritet numri i lindjeve te serbët që jetojnë në Kosovë, si një strategji për të patur një të ardhme më të mirë.
“Për kompromis kërkohet shumë energji, por edhe dëshirë. Nuk jam i sigurt nëse dikush në Prishtinë është i gatshëm për këtë. Më së tepërmi më brengos fakti se më askush nuk dëshiron të flasë rreth kësaj, për taksat dhe problemet e tjera. Ato përdoren vetëm kur duhet të sulmohem unë ose Qeveria, edhe pse situata në Kosovë është gjithnjë e më e rëndë. Do të ndihmojnë në të gjitha mënyrat dhe do të mundohemi që vitin tjetër t’i rrisim lindjet në Kosovë në mënyrë që të kemi më shumë fëmijë dhe njerëzit atje të kenë të ardhme”, tha ai.
Gjithashtu Vuçiç pohoi se është i gatshëm të bisedojë me Kosovën, por më parë kjo e fundit duhet të rishikojë vendimin për tarifat e vëna për mallrat serbe.
“Sa do që mund të jetë e dhimbshme, ne jemi të gatshëm të bisedojmë. Unë jam i gatshëm të jap të gjitha që kam arritur në politikë, edhe besimin që e kam fituar, sondazhet tregojnë se në dy muajt e fundit e kemi besimin më të madh se kurrë më parë. Por, jam i gatshëm që të gjitha këto t’i humb në mënyrë që të siguroj një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Haradinaj ka thënë se do të më rrëzojë deri te Shen Nikola. Unë i kuptoj dëshirat e tij dhe shumë të tjerëve. Shumëkujt në rajon nuk u intereson Serbia të jetë e fortë, në mënyrë që si më parë, ta shpalosin shumëkush, dhe në këtë formë të krijojnë shtete dhe kombet e tyre”.