Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka dalë sërish kundër homologut të tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, pasi ky i fundit tha pak ditë më parë se do të punonte për t’i siguruar Kosovës njohje të reja, në arenën ndërkombëtare.
Përmes një deklarate të bërë ditën e sotme, Vuçiç u shpreh se nëse ndonjë shtet vendos ta njohë Kosovën si të pavarur, Serbia do të fillojë fushatën e çnjohjeve të saj, shkruan media serbe N1.
“Unë kam shumë respekt për Presidentin turk Ergodan dhe ne duam marrëdhëniet më të mira me Turqinë, por ne kemi vendin dhe interesat tona dhe ne do të veprojmë në përputhje me to,” tha Vuçiç për deklaratën e presidentit turk se ai do të punonte për të njohur pavarësinë e Kosovës .
Gjatë vizitës së tij në Kragujevac, Vuçiç kujtoi detyrimin e Serbisë dhe Kosovës për të mos zhvilluar fushata për njohje, pra për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Ai njoftoi se do të fliste me kryeministrin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veeriut në Shkup në 28 dhe 29 korrik, dhe deklaroi se “ne po punojmë shumë dhe besoj në përparimin ekonomik të vendit tonë dhe të tyre”.
“Ne kemi punuar në tre dokumente që do të nënshkruajmë në Shkup – mbi tregtinë, lejet e punës dhe mbështetjen e ndërsjellë në rast të situatave katastrofike, të tilla si zjarre, përmbytje,” tha Vuçiç.