Gjykata e Tiranës pritet të japë më 9 dhjetor vendimin përfundimtar ndaj adoleshentit 15-vjeçar të dyshuar për vrasjen e Martin Canit dhe plagosjen e një bashkëmoshutari të tij, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit të kaluar.
Në seancën e së enjtes, avokatët mbrojtës kërkuan që veprimi i të miturit të rikualifikohej nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “vrasje si pasojë e tronditjes së fortë psikologjike”.
Prokuroria, nga ana tjetër, kishte kërkuar dënim me 25 vite burg, por duke marrë parasysh nenin 97 të Kodit Penal për të miturit, dënimi maksimal mund të arrijë vetëm gjysmën e asaj që është parashikuar për të rriturit, pra deri në 12 vite.
Hetimet tregojnë se tre ditë para ngjarjes fatale, viktima dhe i dyshuari kishin pasur një mosmarrëveshje brenda shkollës, e cila në dukje ishte zgjidhur, por që nuk u raportua as në drejtori dhe as tek prindërit, madje edhe nga oficerja e sigurisë së “Fan Nolit”.
Tragjedia ndodhi më 18 nëntor, pas përfundimit të mësimit. Të dy adoleshentët u takuan afër shkollës, ku filloi një sherr që përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosjen e të dyshuarit, me thikën e tij. Ngjarja tronditi komunitetin dhe ngriti alarmin për sigurinë e adoleshentëve në shkolla.















