“Linkiesta”
Në histori ka disa momente kur qytetarët e një vendi apo rajoni të botës, kanë një vëmendje më të madhe ndaj çështjeve të rendit dhe sigurisë. Kjo përkthehet në mbrojtjen e kufijve, parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, apo në një përdorim më të madh të forcës.
Kjo është një nga arsyet, ndoshta më e menjëhershmja dhe më intuitivja, që shpjegon arsyen pse politika mund të zvogëlojë liritë:shpesh janë vetë qytetarët që e kërkojnë atë.
Kjo shpjegon për shembull faktin pse qasja “Ligj dhe rend”e Donald Trump u mirëprit aq shumë nga zgjedhësit në presidencialet e vitit 2016, dhe është ende shumë e suksesshme në radhët e Partisë Republikane në SHBA.
E njëjta gjë ka ndodhur diku tjetër, në Brazil, Rusi, Nikaragua, Greqi, Poloni dhe vende të tjera, ku janë rritur ndjeshëm grupet e urrejtjes dhe ekstremistët. “Është e vështirë të jesh sot optimist për demokracitë liberale”- thuhet ndër të tjera në një artikull i gjatë në “Foreign Affairs” të Pipa Norris, profesoreshë e politikës krahasuese në Universitetin e Harvardit.
“Bota ka përjetuar ditë plot entuziazëm gjatë të ashtuquajturës Vala e Tretë e Demokratizimit, e cila nisi në Greqi, Portugali dhe Spanjë në vitet 1970, u përhap në Amerikën Latine në vitet 1980, dhe u përshpejtua në Evropën Lindore në vitet 1990 pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Por sot situata është shumë më e errët.
Pranvera Arabe përfundoi nën një represion të egër në Egjipt dhe Siri. Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai kinez Xi Jinping, e kanë forcuar kontrollin e tyre të pushtetit; protestat në rrugë në Bjellorusi, Hong Kong dhe Mianmar u shtypën me gjak. Edhe në demokracitë e vjetra liberale si Shtetet e Bashkuara, në pushtet janë ngjitur udhëheqësit autoritarë populistë”-shkruan Norris.
Në artikullin e saj, politologjia citon librin “Regresi demokratik në botën bashkëkohore” të Stefan Hagard dhe Robert Kaufman, një ese që shqyrton 16 raste të ndryshme të rënies së demokracisë:shtetet që kishin provuar të paktën 8 vjet rresht një demokraci elektorale,nga viti 1974 deri në 2019, dhe që më pas përjetuan një rënie të ndjeshme të vlerave demokratike.
Humbja e vlerave të demokracive liberale, thuajse ndjek një model të njëjtë. Në fillim, autokratët shfrytëzojnë polarizimin politik për t’u ngjitur në pushtet. Pastaj ata i theksojnë me vetëdije tensionet mbi çështjet kulturore, për shembull duke shtuar gjuhën e urrejtjes ndaj të huajve, emigrantëve dhe pakicave, me qasjen klasike “ne përkundrejt atyre”.
Më pas këta udhëheqës fillojnë të sulmojnë dhe të vënë në pikëpyetje institucionet demokratike, dhe sidomos ato që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rastet më shembullore janë ato të Hungarisë së Viktor Orban, dhe Shteteve të Bashkuara gjatë administratës Trump. Në Hungari, partia e Orban “Fidesz”, arriti një fitore të madhe në vitin 2010. Menjëherë pas përurimit të tij në detyrë, Orban ndryshoi kushtetutën dhe ligjin zgjedhor, duke e konsoliduar kështu pushtetin e tij në zgjedhjet e vitit 2014, dhe më pas në ato të vitit 2018. Por nuk mbaron me kaq:Orban e ka minuar pavarësinë e medias, ka kufizuar gjyqësorin,dhe ka kufizuar të drejtat politike dhe liritë civile, duke ushqyer thuajse gjithmonë pakënaqësinë ndaj emigrantëve.
Diçka e ngjashme ndodhi në Shtetet e Bashkuara, padyshim sipas parametrave të demokracisë më të madhe në botë. Trump i fitoi zgjedhjet në Shtëpinë e Bardhë, duke shfrytëzuar polarizimin e partisë së tij mbi çështjet kulturore. Kur mori detyrën e presidentit, ai theksoi ndryshimet midis qytetarëve dhe përfaqësuesve të kongresit, abuzoi me retorikën “ne përkundër atyre” mbi imigracionin, racën, fenë dhe çdo çështje nacionaliste.
“Trump – shkruan Norris në artikullin e sam – ka dëmtuar besimin e republikanëve tek autoriteti legjitim i institucioneve demokratike, që veprojnë si kundërpeshë ndaj ekzekutivit. Ai sulmonte rregullisht mediat dhe ankohej ndaj gjyqësorit. Ai e anashkalonte Kongresin,qeveriste përmes Twitter, me urdhra ekzekutivë dhe emërimin e zyrtarëve që nuk u konfirmuan kurrë nga Senati. Gjithashtu, ai krijoi mosbesim ndaj zgjedhjeve, të cilat arritën kulmin në sulmin e pacipë nga mbështetësit e tij mbi Kapitol”.
Në krahasim me tezën që shtjellohet në librin e Hagard dhe Kaufman, Norris përpiqet të bëjë një hap përpara:“Të dy autorët e nënvlerësojnë rolin e ndryshimeve më të gjëra që kanë ndodhur tek elektoratet, dhe dështimin e institucioneve politike:liderët jo liberalë janë vërtet fajtorë për “regresin demokratik”, por ata ndihmohen nga qytetarët në solidaritet me ta dhe institucionet e papërsosura”.
Për më tepër, Hagard dhe Kaufman e cilësojnë polarizimin e pozicioneve politike si një faktor të jashtëm, të shkëputur nga përçarjet ekonomike apo kulturore, që janë tashmë të pranishme në elektorat. Për Norris, kombinimi i vërtetë fatal që dikton prishjen e vlerave demokratike dhe shfaqjen e autoritarizmave, është polarizimi i debatit politik, dhe prania e institucioneve të vjetruara e të paafta për të krijuar kundërpeshën e duhur ndaj liderëve jo liberalë.
Ekzistojnë disa shembuj, që mund të ndihmojnë në shpjegimin se si qytetarët dhe institucionet, janë një faktor vendimtar në këtë fazë të rilindjes autoritare. Në Britani, fushata pro Brexit nxori në pah ndarjet e forta që ekzistojnë midis votuesve që ishin pro dhe atyre që ishin kundër largimit nga BE-ja.
Në Francë, debatet mbi rolin e Islamit dhe identitetin francez, kanë nxitur mbështetjen për partinë e djathtë ekstreme të Marin Lë Pen. Nacionalizmi hindu në Indi, e ka thelluar dhunën e turmave ndaj pakicave myslimane, dhe ka bërë që parlamenti të miratojë një ligj mbi shtetësinë që diskriminon myslimanët.
Strategjia më efektive për t’iu kundërvënë kësaj prirjeje, është forcimi i institucioneve demokratike liberale, dhe ushtrimi i presionit ndaj politikanëve që të kenë një nxitje për të ndjekur normat demokratike. Natyrisht, dilema është se në shumë vende populistët autoritarë e kanë marrë tashmë pushtetin, dhe mund ta përdorin atë për të vendosur veton kundër reformave demokratike.
burimi: https://www.linkiesta.it/2021/05/democrazia-cittadini-istituzioni-governi-autoritari-trump-orban-stati-uniti-ungheria
Përshtatur për Tirana Today