Gjatë fjalës së tij nga “Çadra e Lirisë”, sot pasdite kryetari PD-së, Lulzim Basha ka deklaruar se ka qenë në një vizitë të shkurtër jashtë Tiranës për 6 orë.
Mësohet se kryetari i opozitës ishte në Itali për një takim me presidentin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani.
Kryetari i PD e ka vënë në dijeni Tajanin për situatën politike në vend dhe kërkesën e patjetërsueshme të opozitës për qeveri teknike, në kushtet ku, sipas tij, qeveria e kryesuar nuk garanton zgjedhje të lira.
Gjithashtu, thuhet se për shkak të parave të drogës, që janë në shërbim të qeverisë, është e pamundur kryerja e zgjedhjeve.
Ky takim vjen vetëm pak ditë nga data 24 prill, kur është lajmëruar ardhja e David McAllester, raporton “Report TV”.
McAllester është zëvendëspresidenti i Partisë Popullore Europiane dhe kreu i komitetit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian, është një nga njerëzit e besuar të grupimit më të madh politik të së djathtës europiane dhe i kancelares gjermane Angela Merkel, por njëkohësisht edhe një i njohur i kryetarit demokrat Lulzim Basha.