Maverick Vinales, piloti spanjoll i Yamaha edhe pse pati një start fantastik këtë sezon nuk arriti ta përfundojë në ato ritme. Dueli me Honda dhe Ducati u bë i pamundur, pasi motori japonez që drejtohet nga ai dhe Rossi, nuk e ruajti shkëlqimin që kishte në fillim dhe kjo bëri që rivalët të ishin superiorë në pistë. “Nuk ishte e këndshme të shije të tjerë para teje dhe nuk je në gjendje të duelosh për fitore. Kisha të tjera synime kur nisi sezoni, por shpejt nisa të hiqja dorë nga ëndrra”, u shpreh Maverick Vinales, që këtë sezon fitoi 3 gara.
Ky ishte sezoni i parë i Vinales me motorin Yamaha, me të cilin u përshtat mirë, ndaj spanjolli beson se kjo eksperiencë e kaluar këtë sezon do t’i shërbejë shumë për të ardhmen. “Morëm një leksion të mirë, por edhe kuptuam se ku duhet të ndryshojmë e punojmë për 2018-ën. Ishte një vit pozitiv në përgjithësi për mua, ndaj besoj se do të arrij të jem më kompetitiv sezonin tjetër, ku titulli kampion mbetet objektivi im kryesor. Jam i sigurt se do të kem një motor më kompetitiv dhe Yamaha do të dijë të sjellë ndryshimet e duhura”, u shpreh Vinales.