Në raportin e përpiluar nga inspektorët e UEFA-s, në një pikë përmendet edhe emri i ish-ministrit, Ridvan Bode, që asokohe ishte edhe donator i Skënderbeut. Korçarët rrezikojnë një dënim 10-vjeçar dhe një shumë të majme parash.
Bode përmendet që në fillim të skenarit, ku Skënderbeu luftonte për mbijetesë dhe ky i fundit sipas trajnerit të Dinamos, Luis Manuel Blanco, së sezonit 2009-2010 kishte kërcënuar: “Nëse e rrënoni festën, unë do t’ju shkatërroj. Ekipi ynë kishte për të humbur. Nuk munda t’u besoja syve. Ishte e tmerrshme.”
Në javët në vijim përballja mes këtyre skuadrave do të jetë nga më enigmatiket e atij sezoni. Në ndeshjen e përfunduar me shifrat 3-2 për Skënderbeun skuadra dinamovite kalon e para në avantazh. Në golin e barazimit të shënuar nga Brkic pozicioni është shumë i dyshimtë por gjyqtari vijon lojën. Në minutat në vijim do të vinte përmbysja e madhe ku do të shënoheshin edhe dy gola të tjerë. Biskup në minutën e 69-t dhe Brkic në të 79-n do realizonte “dopietë”.
Pak para fundit skuadra kampione e atij sezoni do të shkurtonte diferencat me Bakajn. Bie në sy një hezitim i lojtarit për të festuar dhe gjithashtu ngurrimi i tij për të nisur lojën me shpejtësi. Në fund Skënderbeu merr 3 pikët dhe pas kësaj sfidë vijnë edhe një sërë fitoresh të tjera që do të rezultojnë deçizive për të shpëtuar korçarët nga zbritja e një kategorie më poshtë.
Ja çfarë thotë raporti për Ridvan Boden:
Individë të dyshuar të përfshirë në manipulimin e ndeshjeve të Skënderbeut
a) Hyrje
Është parashtruar se Skënderbeu është i përfshirë në manipulimin e një sasie të madhe ndeshjesh në garat evropiane, vendase dhe miqësore që nga viti 2010. Hetimi i kryer nga UEFA që mbulon atë periudhë, dhe sugjeron se pazaret e ndeshjeve janë drejtuar dhe operuar në veçanti nga Ridvan Bode (mbështetës financiar, ish-ministër i Financave),
– Agim Zeqo (ish-president i klubit), dhe,
– Ardjan Takaj (president i klubit).
-Ridvan Bode (mbështetës financiar)
Ridvan Bode ishte ish-ministri i Financave dhe u bë donator i klubit pasi ndryshimeve hierarkike të lartpërmendura, gjatë sezonit 2009/10.
Ai vazhdoi të ishte një person me ndikim te Skënderbeu dhe më pas kishte ndikim mbi personelin dhe fiksimin e ndeshjeve në klub.
Ndërsa ai ishte Ministri i Financave, ai që pilotoi privatizimin fitimprurës.
Duke vepruar kështu, zoti Bode thuhet se i ka trukuar shumë ndeshje. Zoti Bode u akuzua gjithashtu në vitin 2013 për deklarimin e rremë të pasurisë së tij dhe pastrimin parash.
Pas një ndeshje mes Skënderbeut dhe Dinamos, në Tiranë, në vitin 2011, trajneri i skuadrës nga kryeqyteti, Luis Manuel Blanco, tha se ai dhe klubi i tij u kërcënuan nga Ridvan Bode për ta humbur ndeshjen.
Blanco zbuloi se kërcënimi ishte adresuar nga z. Bode si më poshtë:
“Nëse na rrënoni festën, unë do t’ju shkatërroj!” Ekipi ynë duhej të humbiste. Nuk munda t’u besoja syve. Ishte e tmerrshme”, ka thënë Luis Manuel Blanco duke iu referuar kërcënimeve të Bodes.
BFDS ka përshkallëzuar masat ndaj tre ndeshjeve të Skënderbeut, më 13/11/2010, 25/02/2011 dhe 15/04/2011, ka luajtur kundër Dinamos në Tiranë. Siç është shpjeguar në përshkrimin e mësipërm e këtyre ndeshjeve BFDS arriti në përfundimin se dy të parët ishin “shumë të dyshimta dhe më së shumti të manipuluara me gjasë për qëllime bastesh “, ndërkohë që në ndeshjen e tretë ka pasur dëshmi se kjo ndeshje ishte manipuluar për qëllime bastesh në një orkestrim të saktë, me fitime korruptive të basteve të krijuara si rezultat.”
(Pikat 15 dhe 22)
Ridvan Bode thuhet gjithashtu se ka një lidhje të ngushtë me klubet e tjera në Shqipëri. Ai është një donator kryesor të KS Shkumbinit, bashkë me Dashnor Sula. Të dy ata ishin anëtarë të Parlamentit Shqiptar dhe Partisë Demokratike. Në të vërtetë, dhe jo çuditërisht, BFDS përshkroi dy ndeshje mes Skënderbeut dhe KS Shkumbinit, të luajtur në të 12/12/2010 dhe 08/12/2012, të përcaktuara për qëllime bastesh dhe të fituara nga Skënderbeu.
Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve të UEFA (BFDS) arriti në përfundimin se të dyja këto ndeshje ishin “shumë të dyshimta dhe më shumë të ngjarë të manipuluara për qëllime bastesh”
(Pikat 17 dhe 34)
Së fundi, gjatë një seance në Parlamentin shqiptar të mbajtur më 21 dhjetor 2015, deputeti i partisë socialiste Erjon Braçe e akuzoi publikisht zotin Bode për vendosjen e basteve dhe manipulimin e ndeshjeve.
Ai deklaroi: “Në këtë parlament është një person [duke iu referuar Ridvan Bodes që di të vendosë baste shumë mirë, madje ai e di se si të menaxhojë një ndeshje, por unë nuk po shkoj më tej në këtë histori.”
Nga sa më sipër mund të konkludohet vetëm se z. Bode posedon pushtetin, lidhjet dhe njohuritë për të ndikuar në rezultatet e ndeshjeve të Skënderbeut, dhe ai e ka bërë këtë gjatë viteve. Është vërtet tronditëse të shohësh një person në një pozicion publik, përpjekja e të cilit për të ushtruar ndikim të padrejtë në rezultatin e një ndeshje shkon deri aty sa të kërcënojë trajnerin e kundërshtarëve.
Nuk është befasi që BFDS ka përshkallëzuar masat ndaj Skënderbeut, për mundësinë e manipulimit në një shkallë tejet të lartë, duke përfshirë klubet që kanë qenë ose nën presion e z.Bode (Dinamo dhe Tirana) ose të kontrolluar nga miqtë dhe kolegët e tij (KS Shkumbini).
Kjo, së bashku me perceptimin e tij tashmë të njohur publik, si thjesht trukues të ndeshjesh, dëshmon se ai është pjesë përbërëse e skemës së Skënderbeut.
Por, çfarë thotë ish-ministri i Financave?
“Është një përgjigje që e kam dhënë një herë publikisht. Është e njëjti thashethem, si i mëparshmi. As trajnerin, as presidentin, as ndonjë futbollist nuk i kam takuar kurrë dhe as kam folur kurrë në telefon. Mesa di unë, çështja është hetuar”, tha Bode në një prononcim për Tirana Today, duke iu referuar trukimeve dhe akuzës së ish-trajnerit të Dinamos për presion për të humbur ndeshjen.
Raporti i dorëzuar në Komisionin e Disiplinës nga inspektorët e UEFA-s për të dënuar Skënderbeun me 10 vite pezullim nga kompeticionet e kësaj të fundit dhe 1 milion euro gjobë, ka në brendësi një numër të madh ndeshjesh të trukuara.
Katër janë ndeshjet që kanë hapur polemikat më të mëdha dhe që janë analizuar më në detaje nga inspektorët e UEFA-s. Në këto ndeshje të zhvilluara në Europa League dhe Champions League, evidentohen raste tolerimi nga ana e lojtarëve të Skënderbeut dhe momente ku zgjedhin të “tërheqin këmbën” para se të largojnë topin.