Profil i paautorizuar/Adriatik Llalla, gëzonte formalisht kredencialet e një njeriu të thjeshtë, që i kishte ngjitur shkallët e karrierës së tij me zotësi, pa u favorizuar nga sfondi familjar, apo ndonjë lidhje me ish-nomenklaturën e dikurshme komuniste.
Me origjinë nga Gramshi, i lindur në internim, për shkak të pushkatimit të gjyshit dhe burgosjes së babait nga diktatura komuniste, nuk u lejua nga regjimi as të përfundonte shkollën e mesme.
Arrin të shkollohet në vitet e para të demokracisë, duke nisur punë si jurist, fillimisht në nivele të ulëta, për t’u emëruar më pas prokuror në disa rrethe, dhe në fund zëvendësprokuror në Prokurorinë e Tiranës.
Zgjidhet në vitin 2008 në krye të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në kohën e qeverisë së Sali Berishës.
Një institucion kyç në luftën kundër korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë, një nga dukuritë më të pandëshkuara në vend, sipas dhjetëra raporteve nga ana e institucioneve ndërkombëtare.
Nëpër konferenca dhe dalje publike, përsëriste refrenin se ILDKP kishte të dhëna për zyrtarë të lartë që dyshohej se kishin fshehur jashtë vendit pasurinë e tyre, duke kërkuar për këtë ndihmën e BE-së dhe institucioneve të specializuara ndërkombëtare.
Megjithatë veç disa ish-kryekomunarëve, nuk pati asnjë denoncim të zyrtarëve të rangut të lartë për fshehje të pasurisë.
Rrjedhimisht, ministra të kabinetit qeveritar Berisha, dhe politikanë karriere, figuronin sipas deklaratave të tyre të pasurisë, të mbytur në borxhe nëpër banka, apo me kursime modeste nga paga e tyre.
Një ndër rastet më flagrante, ishte ai i gjyqtarit Gjin Gjoni për të cilin ILDKP kishte që në vitin 2010 ngriti dyshime mbi origjinën e pasurisë së tij të pazakontë, e cila në vitin 2014 sipas vetë deklarimit të tij arrinte në mbi 2 milionë euro.
Megjithatë, dosja nuk kaloi asnjëherë për kallëzim penal, por u cilësua e mbyllur.
Pavarësisht punës së dobët, Llalla do të zgjidhej për habinë e shumëkujt në verën e vitit 2012, si pasues i Kryeprokurores Ina Rama, me votat në Kuvend të PD dhe LSI.
Ndonëse s’mund të bënte dot asgjë për ta kushtëzuar, meqë sipas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 edhe prokurori krahas presidentit zgjidhet me shumicë të thjeshtë, kreu socialist Edi Rama asokohe në opozitë, nuk artikuloi ndonjë kundërshtim të fortë verbal.
Pak javë më parë, ai kishte arritur paktin me Metën për daljen bashkë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, dhe bashkëqeverisje mes tyre.
Dhe ngjitja në pushtet, qe atë kohë një emergjencë me e madhe për Ramën, sesa reforma në drejtësi.
Për më tepër, Llalla cilësohej veç Berishës, edhe një favorit i Ilir Metës.
“Do ta nxjerr Shqipërinë nga bataku i korrupsionit!”- do të zotohej ai në një intervistë televizive në dhjetorin e vitit 2012.
Megjithatë në 5 vitet e tij në detyrë, ia doli të nxjerrë nga “bataku” i paligjshmërisë disa zyrtarë të lartë të akuzuar për vjedhje dhe korrupsion.
I tillë ishte edhe rasti i ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, që falë amatorizmit të prokurorëve të tij në hetimin e vjedhjes së miliona eurove në Thesarin e Shtetit, siguruan jo vetëm pafajësinë e Fullanit, por edhe pagimin e gati 300 milionë lekëve të vjetër dëmshpërblim, nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Llalla premtoi çdo vit “vjeshta ankthi” për zyrtarët e lartë, hapjen apo rihapjen e dosjeve që sipas tij nëse do të trajtoheshin siç duhet nga gjykata, do të tronditnin themelet e politikës, dhe do t’i garantonin vendit një hop cilësor në luftën ndaj korrupsionit, dhe bashkë me të afrimin e kohës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Por veç arrestimit dhe ndëshkimit të ish-ministrit Spiro Ksera dhe vartësve të tij për një vjedhje aspak të sofistikuar, nuk pati asnjë hetim serioz dhe produktiv të zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të lartë.
Në shumicën e rasteve, prokuroria ruajti me fanatizëm traditën e vënies formalisht në lëvizje vetëm pas denoncimeve mediatike apo ato të opozitës, nganjëherë edhe mazhorancës në formën e një kundërpërgjigje.
Denoncimet u bënë kapicë në sirtarët e prokurorisë, vetëm për t’u mbyllur si të pabazuara në prova, apo për skadim afatesh procedurale.
Asnjë nga dosjet e vjetra për të cilat pati një këmbëngulje të veçantë nga SHBA-ja, si “Videoja Meta-Prifti”, “21 janari”, “Gërdeci” apo “Rruga Durrës-Kukës” nuk u rihapën.
Kurrfarë hetimi serioz as për skandalet e reja të qeverisë Rama, si koncesionet në shëndetësi, marrëveshja me kompaninë CEZ, dhe mbi të gjitha kultivimin dhe trafikun masiv të kanabisit, me përfshirjen e drejtuesve të lartë të policisë, dhe siç pretendohet se fundmi nga prokuroria italiane edhe të vetë ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
I baraslarguar jo nga palët politike, por nga aferat e tyre korruptive, kryeprokurori Llalla nisi të luante në fillim viktimën.
Në vjeshtën e vitit 2016, alarmoi institucionet dhe median, se ishte kërcënuar me vdekje nga krimi, duke e dërguar urgjentisht familjen në SHBA.
Pak muaj më vonë, pas shpërthimit të një konflikti publik me ambasadorin amerikan Donald Lu, i pezullohet viza me pretendimin e mosrespektimit të afateve të qëndrimit të tij dhe familjarëve në Shtetet e Bashkuara.
Më pas u bë pjesë e luftës politike të opozitës kundër reformës në drejtësi, duke besuar naivisht iluzionin e servirur nga PD dhe LSI, se do të mund të qëndronte në detyrë edhe 2 vjet të tjera.
Ambasadori amerikan e akuzoi në shkurtin e këtij viti Prokurorin e Përgjithshëm si sabotator të reformës në drejtësi, nëpërmjet vonimit të procesit të ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe si të dështuar në luftën kundër korrupsionit, duke marrë si shembull më të fundit mossekuestrimin e serverit të kompjuterëve të ILDKPKI, ku ndodhen deklaratat e pasurisë së qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat konsiderohen jetike për procesin e vetingut, dhe ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë.
Në dallim nga Ina Rama që u promovua nga Sali Berisha si “Silvia Konti” e Shqipërisë, Adriatik Llallës nuk iu kërkua bëhej një “Xhovani Falkone”.
Pavarësisht retorikës politike, ai nuk zhgënjeu askënd nga politika, por shumëkënd nga qytetarët e thjeshtë, që në 5 vitet e drejtimit të organit të akuzës prej tij, vazhduan të vuajnë kalvarin e padrejtësive në dyert e drejtësisë shqiptare.
I tiji ka qenë një investim që mund të japë frytet e veta nesër, kur mund të bëhet pjesë e ndonjë detashmenti politik, por sigurisht ishte edhe një investim që e rrënoi më tej organin e akuzës, duke e bërë akoma më të vështirë reformimin e tij. TIRANA TODAY