Sebastian Vettel ka arritur të fitojë edhe Çmimin e Madh të Bahreinit, pas atij të Australisë. Ishte gara e 200 për pilotin gjerman në Formula 1 dhe nuk kishte si ta festonte më mirë. Pas tij janë renditur Bottas dhe Haimlton, me këtë të fundit që e ka nisur garën nga vendi i nëntë.
Nuk ka qenë dita e Red Bul, pasi të dy pilotët janë tërhequr që në xhiron e pestë nga gara. Ndërsa Hamilton ka bërë një start mjaft të mirë duke rikuperuar tre pozicione në xhirot e para, pasi ky i fundit u nis nga vendi i 9.
Xhiroja e pit stop-eve ka nxjerrë Hamilton në vendin e parë dhe në xhiron e 26-të ka ardhur dyluftimi me Sebastian Vettel, me këtë të fundit që ka arritur të parakalojë anglezin dhe të marrë kryesimin.
Befasia për Ferrari-n ka ardhur në xhiron e 36-të, me Raikkonen që ka qenë i detyruar të tërhiqet nga gara pasi është nisur para kohe nga pitstopi, teksa goma e majtë e pasme nuk ishte fiksuar. Në nisje ka përplasur edhe një mekanik.
Pas këtij momenti, skuderia italiane ka njoftuar Vettel në radio për ndryshimin e strategjisë. Në fakt, drejtuesit e Ferrari-t kanë vendosur të rrezikojnë dhe të mos bëjnë më asnjë pit stop deri në fundin e garës. Një strategji kjo që ka rezultuar e suksesshme, me pilotin gjerman që ka arritur të mbajë mbrapa Botta-s, i cili është afruar shumë në 3 xhirot e fundit, por jo aq sa të realizonte parakalimin. Pas garës së stome, Vettel kryeson renditjen e përgjithshme me 50 pikë, ndjek Hamilton me 33, ndërsa në vendin e tretë e mban Bottas me 22 pikë.