Kur shkolla e saj, si shumë të tjera, u mbyll, Aleksandra Mironova e la punën si mësuese e historisë. Por ajo gjeti shpejti gjeti një pozicion të ri në Leningrad në vjeshtën e vitit 1941 – duke punuar në një jetimore. Në vend të mësimit të fëmijëve, puna e saj ishte thjesht t’i mbante ata gjallë.
Me një qytet prej 2 milionë banorësh, të bllokuar që nga 8 shtatori i 1941 nga makineria naziste e luftës, Leningradi u shndërrua shpejt në një vend të tmerreve të padëgjuara më herët, urisë masive, sëmundjeve, kanibalizmit dhe prostitucionit. Një pjesë e punës së Aleksandrës, ishte të udhëtonte përreth Leningradit, duke sfiduar bombardimet e vazhdueshme gjermane, për të kërkuar dhe shpëtuar fëmijët e braktisur.
Në një apartament ajo gjeti dy vajza të vogla që i kërkuan ushqim, ndërsa në një karrige aty pranë dergjej trupi i pajetë i nënës së tyre, që kishte vdekur dy ditë më parë. Aleksandra mësoi më vonë mësoi, se xhaxhai i vajzave që kishte vizituar kohët e fundit banesën, u kishte vjedhur një mobilje prej druri për dru zjarri, duke i lënë sërish vetëm mbesat e tij.
Në kushtet kur ato qenë shumë të dobëta për të ecur vetë, Aleksandra, ndonëse ishte vetë e drobitur nga mungesa e ushqimit, u detyrua t’i tërhiqte nëpërmjet një slite drejt jetimores. Vetëm pak javë më vonë, ajo gjeti një vajzë 11-vjeçare të quajtur Shura në një apartament tjetër. Vajza ishte e shtrirë mbi një dyshek, e mbuluar me disa rroba në mesin e një grumbulli plehrash dhe papastërtish.
Në kuzhinë shtrihej trupi i pajetë i nënës së saj. Shura i tregoi Aleksandrës se si një i huaj kishte hyrë në banesë dhe i kishte vjedhur triskën e bukës, çka në atë kohë përbënte një dënim të paracaktuar me vdekje.
Në të gjithë qytetin, ajo gjeti shumë të rinj të braktisur nga prindërit e tyre për të vdekur urie. Si nënë, ajo e shihte këtë akt çnjerëzor të pamundur për t’u kuptuar. Vetë nuk hoqi dorë kurrë nga tre fëmijët e saj. Megjithatë, në shkurtin e vitit 1942, duhej të regjistronte në ditar fatin e tyre tragjik:”Kostia vdiq. Ania dhe Vasia vdiqën. Të dashurit e mi. Çfarë do të bëhet me fëmijët? Sa dhimbje! Unë duhet të jetoj, dhe të shpëtoj më shumë fëmijë!”.
Tragjikisht, përkundër përpjekjeve të saj më të mira, qindra mijëra fëmijë dhe të rritur do të vdisnin në Leningrad, gjatë rrethimit më të gjatë dhe më vdekjeprurës në histori. Për 872 ditë, nga shtatori 1941 deri në janarin e 1944-ës, bllokada naziste shkaktoi vdekjen e rreth 800.000 banorëve – ose rreth 40 përqind të popullatës së qytetit para luftës.
Asnjë popullsi tjetër civile nuk vuajti aq shumë sa banorët e Leningradit, të cilët u përballën me urinë ekstreme, bombardimet dhe të ftohtin e madh. Ata që mbijetuan, ia dolën falë ekstremeve të sjelljes njerëzore. Ndërsa disa jetë u shpëtuan nga ata që shfaqën heroizëm, bujari dhe vetëmohim, të tjerët e shpëtuan veten përmes lakmisë, vrasjes dhe kanibalizmit.
Rrethimi nxori më të mirën dhe më të keqen tek njerëzit. Profesor Alexis Peri nga Universiteti i Bostonit në SHBA, sjell në librin e tij të fundit disa ditarë të pabotuar më parë, të cilat kanë “fjetur” për dekada në sirtarët e arkivave ruse. Ato dëshmi e personalizojnë katastrofën, shumë më mirë sesa çdo histori konvencionale.
Baballarët do të vidhnin bukën e fëmijëve të tyre
Pas pushtimit gjerman të Rusisë në qershorin e vitit 1941, shumë banorë të Leningradit mbetën optimistë për të ardhmen e tyre. Të “droguar” nga propaganda sovjetike, ata qenë të sigurtë se Stalini me siguri do të triumfonte së shpejti. “Fitorja do të jetë e jona shokë!”- shkruante nxënësja Elena Mukhina në ditarin e saj. “Do të bëjmë gjithçka për të shpëtuar njerëzimin nga tirania”.
Ndërkohë, në ditarin e tij, drejtuesi i një fabrike, Aleksei Evdokilov, shfaqej po aq i vendosur. “Ju zvarranikë gënjeshtarë”- shkruante ai për gjermanët. “Ju nuk na trembni. Ne do të luftojmë me forcë të trefishtë!”. Fjalë të tilla shpejt do të veniteshin. Ushtria gjermane e rrethoi Leningradin më 8 shtator, vetëm 11 javë pasi kishte pushtuar Rusinë.
Megjithëse rreth 500.000 qytetarë fillimisht u evakuuan, popullsia u rrit sërish për shkak të numrit të madh të refugjatëve që kishin ardhur në qytet. Pas rrethimit, gjermanët u siguruan që popullata ruse të vuante. Një seri bombardimesh ajrore mbi magazinat ushqimore, nënkuptonte se qyteti kishte mjete të mjaftueshme për të jetuar normalisht vetëm për një muaj, duke i detyruar autoritetet të zvogëlonin racionin e bukës në vetëm 255 gramë në ditë për person.
Por shumë shpejt buka u bë më e vlefshme se vetë paratë. Me kalimin e javëve, njerëzit filluan të vuanin, dhe më pas vdiqnin nga uria. Ata që mbijetuan u shndërruan në skelete, të vdekur të pakallur. Elena Mukhina, aq optimiste në fillimin e pushtimit, e pa veten të shndërrohej nga një 17-vjeçare, në atë që ajo e përshkroi si “një grua e plakur” në pasqyrë.
Një rezultat tjetër i urisë, ishte se si djemve ashtu edhe vajzave filluan t’u rriteshin qimet në fytyrë. “Ne i quanim ata pleqtë e vegjël”- kujton një mbajtës ditari pas luftës. Në të njëjtën kohë, burrat u bënë impotentë, ndërsa gratë përjetuan ndërprerjen e cikleve të tyre menstruale, teksa gjokset iu ngurtësuan, dhe ndaluan prodhimin e qumështit.
Kur banorët e qytetit mblidheshin lakuriq në banjat komunale, ishte e pamundur të dalloheshin burrat nga gratë. Me gati 1 mijë njerëz që vdisnin çdo ditë, kufomat ishin një tipar i përhapur i jetës së përditshme. Trupat grumbulloheshin togje-togje nëpër cepat e rrugëve, dhe imazhet e njerëzve që jepnin shpirt trotuareve ishin të zakonshme.
“Një grua e moshuar u rrëzua përtokë duke pritur në radhë për bukë”- shkruante në ditarin e saj balerina Vera Kostrovitskaia. “Por askush nuk kujdeset për të. Ajo ose ka vdekur, ose do të shkelet për vdekje nga turma”. Atëherë dikush nxitonte t’i rrëmbente triskën e bukës nga dora, e cila mjerisht nuk ishte e vetmja gjë që u vidhej të vdekurve.
Trupat qenë gjithashtu një burim ushqimi, dhe kanibalizmi ishte i përhapur. Rreth 1.500 leningradas u arrestuan për kanibalizëm gjatë rrethimit nazist. Gjuha ruse dallon dy llojeve kanibalizmi. Trupoedstvo – ngrënien e mishit të dikujt që tashmë ka vdekur – dhe liudoedstvo, që do të thotë ngrënia e mishit të dikujt që është vrarë për këtë qëllim. Në Leningrad, ndodhën të dyja rastet, dhe nënat ushqenin edhe fëmijët e tyre me mish njeriu.
Ish-mësuesja e historisë, Aleksandra Mironova, takoi një familje të quajtur Kaganov, e cila praktikonte kanibalizmin. Kur Aleksandra u përpoq t’i çonte fëmijët në jetimore, ajo zbuloi se ata nuk donin ta linin mishin e tyre të papjekur. Ata që nuk e thyenin këtë tabu, përballeshin me tundime të tjera. Baballarët do t’u vidhnin ushqimin fëmijëve të tyre, dhe do të nxisnin kështu urrejtjen e anëtarëve të familjes.
Në ditarin e saj, 13-vjeçarja Valia Peterson e qorton njerkun e saj se i hëngri jo vetëm racionin e bukës, por edhe qenin e saj. “E urreja tmerrësisht atë!”- rrëfen ajo në ditar. “Uria zbuloi shpirtin e tij të ndyrë, dhe unë duhet ta njihja”. Kur njerku i saj vdiq, Valia ishte e gëzuar:”Isha gati të kërceja nga gëzimi, por isha shumë i dobët dhe s’kisha forcën e mjaftueshme”.
Nganjëherë uria krijonte psikoza të tmerrshme tek njerëzit, të cilët filluan të vuanin nga deluzionet, dhe madje edhe nga halucinacionet. Në ditarin e saj, Nina Mervolf, një studente e dramaturgjisë, kujton se si bërtiste babai i saj “i tharë tërësisht”:”Ku është trupi im? Unë se di çfarë ka ndodhur me mua. Nuk e kuptoj çfarë po ndodh me mua. Ku është trupi im?”.
Por pavarësisht nga bombardimet, uria dhe tmerri, shumë leningradas arritën t’i mbijetojnë rrethimit. Kjo pjesërisht falë edhe Ushtrisë së Kuqe, që arriti të ruajë një linjë transporti për furnizimet mbi liqenin e ngrirë të Ladogas, por edhe për shkak se banorët hëngrën gjithçka të mundshme – rripa lëkure u zien për të bërë pelte, dylli u shndërrua në supë etj.
Në mënyrë të pashmangshme, prostitucioni – për ata që qenë ende fizikisht të aftë – siguroi gjithashtu një mjet mbijetese për të dyja gjinitë. Prostitutat femra, që njiheshin si “gratë e bllokadës” ose “vajzat e kafeterisë”, shisnin trupat e tyre në këmbim të ushqimit. Edhe burrat do të shisnin veten për ushqim. Klientet e tyre, ishin shpesh punonjëse e shërbimit ushqimor. Qasja e tyre ndaj ushqimit, nënkuptonte se ato shiheshin si “aristokrate”
Kishte një grup tjetër njerëzish në Rusinë e Stalinit, që nuk do të vdisnin kurrë nga uria gjatë bllokadës – anëtarë të këshillit lokal, apo sovjetik. Në ditarin e tij, anëtari i sovjetëve Nikolai Ribkovski shkruante sesi dendej me havjar, pata, gjeldeti dhe proshutë, gjatë një periudhe ku çdo ditë 2000-3000 njerëz vdisnin nga uria. Madje, në një moment ai hëngri aq shumë, sa që u shtrua në spital.
Autoritetet lokale nuk treguan ndonjë simpati, për mjekët që punonin në spitalet e mbytura nga kufomat. Dështimi i tyre për t’u marrë me këtë problem, nënkuptonte se ato konsideroheshin “kundërrevolucionarë”, dhe kërcënoheshin me burg. Megjithëse anëtarët e sovjetëve, dukej se banonin në një planet tjetër, ata qenë të vetëdijshëm për urine e shumë-përhapur, dhe krijuan madje edhe një komision për të regjistruar përvojat e njerëzve, duke mbledhur ditarë personale dhe duke kryer intervista.
“Njerëzit duhet të sjellin sa më shumë histori që të jetë e mundur”- vendosi komisioni. Kur rrethimi përfundoi më 27 janar 1944, shpresohej se dëshmitë e mbledhura nga komisioni do të publikoheshin gjerësisht për t’i treguar Rusisë – dhe pjesës tjetër të botës – se çfarë kishte kaluar Leningradi. Qytetit u dha statusi i “heroit”, dhe mori ndërkaq edhe Urdhrin e Leninit.
Sidoqoftë, duke filluar nga viti 1949, Stalini u kujdes të kufizonte një frymë gjithnjë e më të pavarur në qytet, të cilën e shihte si një sfidë ndaj pushtetit së tij. Për më tepër, ai nuk kishte shumë dëshirë t’i bëhej jehonë heroizmit të Leningradit, pasi rrëfimet mbi urinë dhe vështirësitë ekstreme, vetëm sa u kujtonin njerëzve se udhëheqësi i tyre nuk kishte qenë në gjendje të lehtësonte sadopak vuajtjet e qytetit për gati dy vjet e gjysmë.
Sikurse qe bërë e zakonshme në Bashkimin Sovjetik, Stalini urdhëroi një spastrim, dhe dhjetëra mijëra relike të “bllokadës”, përfshirë ditarët, u fshehën ose u shkatërruan. Anëtarët e komisionit, u pushuan nga puna me akuzën e “zvogëlimit të madhështisë” së Stalinit.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce