Deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj ka bërë të ditur se është dorëhequr nga politika. Këtë vendim ajo e ka shpallur pas 15 vitesh karrierë. Dëshira e Leskaj është që vendin e saj ta zënë të rinjtë dhe se kishte kohë që e kishte marrë këtë vendim, pasi ishte konsultuar edhe me kryeministrin Rama.
Leskaj gjithashtu tha se ishte e kënaqur me zgjedhjen e Ilir Metës si Presidenti i Republikës dhe se ky i fundit do të sillte një frymë të re.
Për sa i përket tërheqjes nga politika, socialistja Leskaj u përgjigj: Jam e sigurt që zgjedhja e Ilir Metës President do të sjellë një frymë të re. Kisha kënaqësinë të drejtoja seancën e djeshme. Nuk besoj se do jetë mbledhje e vështirë, gjërat janë të konsultuara. Nuk shoh vështirësi, kam vendosur të mos kandidoj për zgjedhjet e ardhshme se pas 15 vitesh në politikë, njeriu duhet të thotë jo, t’i hap rrugën të rinjve. Kam pasur privilegjin të kem qenë pjesë e PS, natyrisht do jem e angazhuar, nuk do jem në Parlament, kjo është një lëvizje e menduar me kohë.
Lidhur me afatin e skaduar të KQZ-së, Leskaj tha: Ne do të çojmë listat në KQZ, dhe është ajo që jep një përgjigje përfundimtare dhe jo Partia Demokratike.
E pyetur nëse ka edhe të tjerë të larguar nga PS-ja, zonja Leskaj u përgjigj se këtë informacion po e mësonte tani. “Kemi diskutuar me kolegët, por kjo e imja ka qenë lëvizje e menduar dhe natyrisht e diskutuar edhe me kryetarin e PS, Edi Rama. Folëm dje në drekë. Njerëzit duhet të kenë zgjedhje personale“, u shpreh Leskaj.